Paris Saint-Germain ka triumfuar me rezultatin 4-2 ndaj Barcelonës, në një përballje spektakolare të vlefshme për fazën e ligës në Champions League. Në “Parc des Princes”, skuadra e Luis Enrique tregoi forcën e saj, duke ndëshkuar problemet e katalanasve në mbrojtje dhe duke marrë një fitore të rëndësishme në garën evropiane.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e parizienëve, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 38-të me Désiré Doué. Barcelona reagoi pas pushimit dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 55-të, me Xavi Espart, duke rikthyer emocionet në këtë sfidë.
Megjithatë, PSG nuk u dorëzua dhe në minutën e 72-të, Lucas Hernández shënoi me kokë, duke rikthyer avantazhin për vendasit. Barcelona reagoi sërish përmes talentit Lamine Yamal, i cili realizoi një gol të bukur individual në minutën e 79-të.
Kur dukej se katalanasit mund të merrnin një rezultat pozitiv, Vitinha shënoi në minutën e 81-të, ndërsa Fabián Ruiz vulosi fitoren 4-2 në minutën e 86-të.
Me këtë sukses, PSG konfirmon ambiciet e saj për të ecur larg në Champions League, ndërsa Barcelona pëson humbjen e parë të sezonit në të gjitha kompeticionet. /Sport Ekspres/