Partizani pëson një humbje të rëndë në Abissnet Superiore, teksa Vora triumfoi me rezultatin e thellë 4-1, duke i shkaktuar një goditje të fortë skuadrës së drejtuar nga Mislav Karoglan.
Protagonisti absolut i kësaj përballjeje ishte Karrica, i cili zhvilloi një ndeshje fantastike, duke realizuar tre gola. Sulmuesi zhbllokoi rezultatin në minutën e 17-të, duke i dhënë avantazhin Vorës dhe duke vënë në vështirësi të kuqtë që në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, Karrica goditi sërish në minutën e 50-të, duke dyfishuar shifrat dhe duke e bërë edhe më të vështirë misionin e Partizanit. Kryeqytetasit arritën të reagojnë përkohësisht me Humanin, i cili shënoi në minutën e 63-të dhe rihapi për pak çaste diskutimin për rezultatin.
Megjithatë, Vora nuk u tërhoq. Clement realizoi golin e tretë në minutën e 74-t, duke i dhënë fund shpresave të Partizanit për rikthim. Në kohën shtesë, pikërisht në minutën e 90+1, Karrica vulosi triumfin me golin e tij të tretë personal.
Fitorja 4-1 është një sinjal i fortë nga Vora, ndërsa për Partizanin kjo humbje ngre pikëpyetje serioze. Karoglan ka shumë punë përpara për të rikthyer skuadrën në rrugën e duhur. /Sport Ekspres/