“Ngrini kokën çuna, kështu vazhdohet para”! Trajneri i Shqipërisë tregon se çfarë i tha lojtarëve pas Finlandës

Rei Manaj dhe trajneri Maran ishin të pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjes me San Marinon. Në fillim ai që foli ishte sulmuesi ai që foli duke prekur edhe takimin e kaluar me Finlandën. “Shiko, ndeshja me San Marinon është e mirë, janë më të dobët se ne, por kjo duhet treguar në fushë. Do të futemi në fushë që të mbyllim direkt ndeshjen dhe të marrim tre pikët. Për ne e rëndësishme është që të shënojmë, nuk ka rëndësi mënyra. Trajneri ka pak kohë, por ka ide të qarta, lojtarët e ndjekin dhe janë profesionistë. Shpresoj që të jemi në 100% kur të fillojnë kualifikueset e Europianit.  Duhet të sulmojmë më shumë në 20 minutat e para që të hapim ndeshjen. Jam i lumtur që të luaj me çdo lloj lojtari. Nuk ka rëndësi kush shënon për mua”, tha Manaj.

Nga ana tjetër, trajneri i Shqipërisë, Maran, theksoi se në futbollin e sotëm nuk ka ndeshje të lehta. “Kur dëgjoj fjalën e thjeshtë, më vjen të rrënqethem. Nuk ka asnjë ndeshje të thjeshtë në futboll, ka me ritëm më pak, por jo të thjeshtë, as ndaj San Marinos. Lojtarët janë fantastikë, më ndjekin gjithmonë më vëmendje në analizë, në stërvitje, futen në fushë me impenjim të madh. Nuk është e lehtë të gjendet kimia në grup, ne ia kemi arritur. Kerjota? Jo, jo. Nuk është se nuk më ka pëlqyer në stërvitje, më ka pëlqyer, unë e zgjodha. Por kam qenë i qartë që në fillim me prurjet e reja që lojtarët që kanë qenë pjesë e Kombëtares, do të kenë tjetër hapësirë në krahasim me ta. Kjo është ajo që ndodh në këtë rast, do kohën e tij, kam parë dhe vënë re se ka cilësi. Pashë ndeshjes me Finlandën, i thashë lojtarëve në dhomën e zhveshjes që të ngrinin kokën pasi kështu vazhdohet”, tha Maran. /Sport Ekspres/