Shqipëria arriti të fitonte në shifrat 2-0 ndaj Bjellorusisë. Një performancë shumë bindëse e Shqipërisë së Maran, ndërkohë më poshtë mund të gjeni vlerësimet e bëra nga Sport Ekspres për disa prej lojtarëve të Kombëtares.
Kristjan Asllani (7): “çuditërisht Asllani i Arabisë ishte më i mirë se Asllani i Interit. Më shumë klas në këmbë, nuk luante vetëm me Gjimshitin dhe Ismajlin, shihet më shumë përpara. Nuk e dimë se çfarë e tjetërsoi, paratë në aventurën e re apo minutat më shumë atje, por Asllani mund të qëndrojë në Emiratet e Bashkuara Arabe për sa kohë luan kështu te Kombëtarja”.
Elseid Hysaj (8): “Elsi Hysaj është “i krisur”. Ky njeri nuk është normal, për sa kohë luante në Serie A, te Shqipëria bënte ndeshje të dobëta. Tani që nuk luan në Serie A, te Shqipëria është më i miri. Ndodhi në dy ndeshjet me Serbinë, ndodhi dje dhe po ndodh gjithmonë në kohët e fundit, Elseid Hysaj është i pakalueshëm. Dhe e ka një shpjegim dhe kjo utopi, Hysaj është fantastik kur luan thjeshtë dhe kupton limitet e vetes, kur luante në Serie A, bënte gjëra që kapaciteti i tij nuk e mbante”.
Pilo (6.5): “Në pjesën e parë çdo sulm i Bjellorusisë vinte në krahun e tij. Ashtu si Mitaj, vuan pak në pjesën mbrojtëse. Por të lë pa fjalë kur ndez motorrin dhe niset aq vrullshëm për të dalë në sulm, një shpërthim dhe dinamizëm që nuk e ka as Mitaj. Ndoshta ka regjistruar shpejtësinë më të madhe në ato shpërthime pa top dje”.
Arbër Hoxha (7.5): “Kur Arbër Hoxha është në formën e tij, askush nuk e ndal dot në krahë, askush. Ishte i vetmi që çonte tifozët nga vendi në Air Albania dhe e bënte Bjellorusinë që të dukej si Bjellorusi. E merrte topin, ua fuste mes këmbëve, ua fuste në në krahë, në qendër, tallej pa mëshirë”.
Ylber Ramadani (7): “Nuk është lojtari më i bukur për t’u parë, por dje ka qenë fantastik. Vlerësim maksimal edhe për Ylber Ramadanin, ishte kudo në mesfushë për të rikuperuar dhe nuk humbiste aspak kohë për të nisur sa më shpejt aksionin”.
Ernest Muçi (8): “Ernest ku ishe? Na kishe munguar! E kishim pritur kaq gjatë dhe e tregoi se çfarë mund të bënte. Ishte një ndeshje e dobët e Muçit, por Muçi prapë shkëlqeu dhe shnëoi, imagjinoni se çfarë mund të bëjë në kulmin e tij. E bën futbollin të duket aq i bukur, aq i thjeshtë, aq mbreslënës. Dhe Redi Jupi e tha më bukur: “Edhe kur e humbet një rast para porte, e humb aq bukur sa nuk e kritikon dot”. E donim një shkëndijë dhe Muçi e dha”.
Rei Manaj (5.5): “Lojtari që çaloi dje. Dëshira ishte e madhe për të shënuar gol, por kjo dëshirë ndonjëherë e pengon shumë. Madje në golin e Ernest Muçit, për pak prishi punë dhe e rrezikoi Muçin më shumë sesa mbrojtësit kundërshtar. Shumë konfuz në disa momente dhe bënte zgjedhje të gabuara, një rast fatal i humbur në pjesën e parë”.