Skënder Gega është një nga trajnerët më të mirë që ka prodhuar futbolli shqiptar në vitet e fundit. Pasi ka drejtuar me sukses ekipet kombëtare të moshave U-19 dhe U-21, Skënder Gega ka pasur eksperiencë edhe me klubet më të mëdha të Shqipërisë. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, ajo që ky trajner vlerëson, është rregulli i ri i futur nga FSHF për t’i detyruar ekipet e Superiores që të aktivizojnë një lojtar të ri.
Një rregull që duhej të ishte futur më herët, por që do të shërbejë shumë për të ardhmen tonë. Madje, Gega nuk ngurron të tregojë sesi lojtarët e rinjë nuk grumbullohen në ekipet e Superiores pasi disa njerëz përfitojnë me afrimet e të huajëve të cilët janë “askushi”, për t’i hequr shansin e provimit talentit vendas. Gjithashtu në prag të ndeshjeve të Kombëtares, u diskutua edhe për listën e Maran.
5 javët e para në Superiore, çfarë të ka bërë më shumë përshtypje deri tani?
Po e kam ndjekur fillimin e sezonit të kampionatit, diçka që e shoh si shumë pozitive është ndryshimi i formulës së kampionatit. E kam thënë mendimin tim edhe më para, Final Four nuk ishte zgjidhja më e mirë, por FSHF zgjodhi të bënte një risi. Për mua personalisht, Final Four nuk solli asgjë pozitive përveç problematikave pasi në fundin e kampionatit ndodhin plot “surpriza” apo “ndere”. Këtu nuk mund të ngarkosh me përgjegjësi FSHF, por klubet që i menaxhojnë situatat dhe i bëjnë llogaritë në fund. Sot kjo formulë e re, minimizon hapësirën për “nderet”.
Profesor, ti ke qenë trajneri i Shqipërisë U-19, U-21 dhe te Partizani besove shumë tek talentet e rinjë, u ke dhënë dorë të madhe. Si e shikon rregullin e FSHF për t’i detyruar ekipet e Superiores që të aktivizojnë një talent të ri?
Kjo është risi pozitive padyshim pjesa që duhet të aktivizohet me kusht një lojtar 17-vjeçar, kjo nxit klubet për të guxuar më shumë dhe për t’i dhënë hapësirë të rinjëve. Po është e vërtetë, në çdo ekip që kam drejtuar, duke nisur nga ekipet kombëtare, ka qenë gjëja kryesore t’i jap besim dhe hapësirë lojtarëve që vërtet kanë potencial për t’i shërbyer të ardhmes dhe asnjëherë nuk kam hezituar, pavarësisht nga mosha.
E kuptoj, por sa durim kanë klubet shqiptare për të pritur një talent të ri, pasi qasja jonë e përgjithshme nuk ka qenë shumë dashamirëse ndaj talenteve apo jo?
Padyshim që jo të gjithë e kuptojnë apo besojnë, në shumë raste dhe nuk iu intereson fare kjo pjesë sepse duan të sjellin lojtarë nga jashtë. Edhe pse ka shumë kosto, aty kanë hapësirë të abuzojnë dhe të përfitojnë nga interesat personale disa njerëz që sillen rreth klubeve. Unë për diçka që kam bindje teknike dhe që i shërben klubit, e kam bërë gjithmonë, i besoj të rinjëve.
Në të kaluarën ke drejtuar nga moshat e Shqipërisë emra si Rrahmani, Strakosha, Muriqi, Vojvoda, Hysaj, Strakosha. Tani vonë te Partizani ishte Himallari dhe Vata, që kishin pak ditë që ishin bërë 16 vjeç dhe i more nga U-15, u aktivizuan në Final Four dhe në Europë. A ka një faturë në Shqipëri kur guxon kështu?

Shiko, jo të gjithë ishin të lumtur sepse rrezikoheshin disa lojtarë që ishin marrë me kosto me idenë që klubi do të përfitonte prej tyre, por sot që flasim, këto fatura janë në kurrizin e atyre që hedhin lekë në klub. Sot me vendimin e FSHF, që është paksa i vonuar sepse kjo gjë është bërë për herë të parë në 1985 dhe ishte shumë frutdhënës si rregull, i njëjti rregull si ky tani. Aty spikaten lojtarë si Bersheni, Ilir Imami tek Dinamo, Millo te Gjirokastra, Ledion Pano te Partizani, Ermal Tahiri te Dinamo e shumë të tjerë.
Le të ndalemi pak te kampionati, çfarë të ka surprizuar, ndoshta Teuta e vendit të parë?
Nuk mendoj se ka shumë surpriza. Dinamo dhe Egnatia, me paraqitjen në Europë, kanë diferenca me të tjerët, pa hequr dhe Teutën që a ndryshuar shumë në krahasim me vitin e kaluar, është një projekt serioz në çdo hallk të klubit.
A mund të jetë Egnatia një histori si ajo e Skënderbeut?
Po, nëse ndjekin modelin që drejtonte Skënderbeun, mundësitë janë aty. Personalisht më ka pëlqyer edhe Laçi për mënyrën sesi është shfaqur në fushë, me shumë të rinjë, por taktikisht të vendosur mirë dhe me shumë grintë, por me lojtarë të rinjë që premtojnë shumë. Edhe Skënderbeu me Vorën kanë bërë ndeshje të mira si kundër Dinamos dhe Egnatias, por me pak fat dhe më shumë eksperiencë, mund të ishin në një vend tjetër.
Po Vllazninë, e prisje në fund?
Ndiej keqardhje për situatën që ndodhen, por duhet të reagojnë jashtë presionit që ka ai qytet për të qenë elitë në futbollin shqiptar. Duhet t’i menaxhojnë më qetë situatat dhe të merren përgjegjësi, që të korrigjohen gabimet. Kjo do ishte rruga më e drejtë për të dalë nga kjo situatë që ka kapur Vllazninë.
Partizani vazhdon të vuajë, i ke ndjekur ndeshjet, çfarë nuk po shkon?
Më vjen keq, nuk kam dëshirë të flas sepse nuk është në natyrën time për një ekip që kam punuar. Nuk flas kur largohem, kur punoj e them fjalën time pa hezituar, insistoj për bindjet e mia me mënyrën si e kuptoj futbollin, pa marrë parasysh faturën.
Lista e Shqipërisë nga Maran, si e gjykon dhe prisje emra të tjerë?
Lista është përgjegjësia e Maran. Shqipëria nuk është në situatë të mirë dhe kjo për dy arsye: “Lojtarët nuk aktiviziohen dhe disa lanë klubet elitare dhe kanë parë interesat ekonomike”. Kjo është normale, por nuk mund të them sesa do ndikojë në performancën e tyre te Shqipëria.
Lënia jashtë e Armando Brojës, nëse do të ishte ti trajner, do ta lije jashtë?
Po, për fat të keq, situatat në klube nuk i kanë shkuar në favor dhe të vjen keq, duke parë potencialin e padiskutueshëm të këtij njeriu. Ndoshta duhet një menaxhim më i mirë nga vetë Armando ose për të parë diku tjetër, një kampionat tjetër, do ishte mirë edhe në të mirë të Shqipërisë. A do ta merrja? Shiko, ne kemi edhe lojtarë të tjerë sot që kanë probleme minutazhi me klubet e tyre. Rasti i Brojës nuk është ndryshe, as i Jasirit, kampionati iranian ka vështirësi dhe Jasiri ka shënuar gola aty.
Ndërkohë në listë janë shtuar lojtarët e Superiores, Ismaili dhe Qefalija…
Më bëhet qefi që Qefalija është thirrur, po ashtu edhe mbrojtësi Ismaili. Jam i sigurtë që nëse i japin shansin, do të jenë të denjë të veshin fanellën e Kombëtares. Duket sikur po bëj PR e tyre, por nëse flasim të mbështesim futbollin në vend, duhet të guxojmë pasi nuk ka diferenca. është koha të guxojmë për të hapur një rrugë të re për Kombëtaren. Dhe për mua, si Qefalija dhe si Ismaili, duheshin marrë pa u dëmtuar dikush, duhej t’i kishte mbërritur ftesa që në fillim. /Sport Ekspres/