“Na duhej një si Daku, luftarak dhe i etur për gola”, trajneri i Spartakut tregon ambicien e Mirlindit: Do që të bëhet sulmuesi kryesor në skuadër

Mirlind Daku është ende në fazën e përshtatjes te Spartaku i Moskës. Sulmuesi shqiptar ende nuk ka shpalosur të gjithë vlerat e tij në skuadrën e re. Megjithatë trajneri i Spartakut ka besim te cilësitë e Dakut. Siç citon “Match TV”, Romanovi ka thënë se Spartakut të Moskës i nevojitej një lojtar si 28-vjeçari shqiptar. Ai është shprehur se Mirlindi nuk është i kënaqur me pozicionin e tanishëm në ekip, pasi ka ambicien për të qenë zgjedhja e parë në majën e sulmit.

“Daku është një futbollist me cilësi të larta dhe një golashënues. Na duhej një lojtar si ai: i etur për gola, luftarak, ‘egoist’ në mënyrën e tij dhe që dëshiron të jetë gjithmonë lojtari më i rrezikshëm në fushë. Pres shumë prej tij. Shoh se si po përshtatet dhe si u qaset ndeshjeve e stërvitjeve. Besoj se do të bëjë mirë. Vërej se ai nuk kënaqet aspak me pozicionin e tij aktual. Do të përpiqet të bëhet sulmuesi kryesor. Thjesht duhet kohë, sepse Spartaku është një klub kërkues”, ka thënë Vadim Romanovi./Sport Ekspres/