Kategoria e Parë/ Trajnerët e ekipeve kombëtare përzgjedhin formacionin më të spikatur të javës së tretë

Java e tretë e Kategorisë së Parë u zhvillua të mërkurën, me disa rezultate të rëndësishme. Besa triumfoi 5-0 ndaj Orikut, ndërsa Sopoti regjistroi një fitore 1-3 në transfertën ndaj Burrelit. Kastrioti mposhti minimalisht 1-0 Flamurtarin, ndërsa Pogradeci mori maksimumin e pikëve pas fitores 0-3 në transfertën ndaj Kukësit.

Në barazim pa gola u mbyll sfida mes Bylisit dhe Besëlidhjes, ndërsa nga një pikë morën edhe Korabi dhe Iliria, të cilat barazuan 1-1 në takimin e zhvilluar në Peshkopi.

Në përfundim të javës së tretë, trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur 11-shen më të spikatur të javës, sipas skemës 1-4-3-3.

Hasaj i Ilirisë bëri një paraqitje mjaft të mirë dhe është përzgjedhur si portieri më i mirë i javës së tretë.

Mbrojtja me katër formohet nga: Kodji (Bylis), Samake (Pogradeci), Chibuike (Kastrioti) dhe Spahiu (Besa).

Përpara mbrojtjes është pozicionuar Danaj (Besa), ndërsa më të avancuar janë Kasmollari (Kastrioti) dhe Bilali (Besëlidhja).

Treshja e sulmit përbëhet nga T. Marku (Korabi), Chinwendu (Pogradeci) dhe Naza (Sopoti).

Goli më i bukur i javës u përzgjodh ai i futbollistit të Pogradecit, Chinwendu Godswill Chukunonso, i cili realizoi golin e dytë në fitoren 0-3 të liqenorëve në transfertën ndaj Kukësit.