Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Federata Shqiptare e Futbollit ka dhuruar materiale shkollore për fëmijët e Fshatit SOS, duke vijuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për këtë komunitet dhe për nismat që synojnë të kontribuojnë në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Kjo nismë vjen në vazhdën e angazhimit të vazhdueshëm të FSHF-së për të qenë pranë Fshatit SOS, duke e shtrirë kontributin përtej fushës së sportit dhe duke mbështetur edhe iniciativa që lidhen drejtpërdrejt me edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Në aktivitet ishte e pranishme anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila u shpreh se ky kontribut, edhe pse modest në pamje të parë, përcjell një mesazh të rëndësishëm për fëmijët dhe brezat që do të vijnë.
“Ky kontribut i Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe pse duket në pamje të parë modest, ka të bëjë me mesazhin për fëmijët dhe brezat që do të vijnë.
Ju do të nisni një rrugë shumë të rëndësishme, që është rruga e dijes, dhe ne gjithmonë përpiqemi që këtë rrugë të dijes ta shoqërojmë edhe me sportin, për çdo lloj sporti ku na mësohen kurajoja, disiplina, ndershmëria, të qenët bashkë, puna në grup, në ekip, pavarësisht të gjitha vlerave individuale që ka secili prej fëmijëve”, u shpreh Anila Basha.