Egnatia ka marrë një tjetër fitore në Abissnet Superiore, duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 2-1 në “Arena Egnatia”, në një sfidë spektakolare dhe me emocione deri në vërshëllimën e fundit.
Kampionët në fuqi e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 14-të, Alessandro Albanese zhbllokoi takimin, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Nevil Dedes.
Skënderbeu reagoi dhe në minutën e 34-t arriti të barazojë. Saleh Nasr u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke rikthyer ekuilibrin në “Arena Egnatia”.
Në pjesën e dytë, Egnatia rriti presionin dhe kërkoi me ngulm golin e fitores. Shpërblimi erdhi në minutën e 84-t, kur Karim Loukili dërgoi topin në rrjetë dhe i dha avantazhin përfundimtar rrogozhinasve.
Në fund, Egnatia festoi fitoren 2-1 dhe regjistroi tri fitore në tri javët e para, duke grumbulluar 9 pikë dhe duke qëndruar në krye të renditjes. Skënderbeu, ndërkohë, mbetet me vetëm 1 pikë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/