Një lajm i mirë vjen për Kombëtaren shqiptare dhe Lecce-n. Medon Berisha është rikthyer në dispozicion pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak të dëmtimit, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij drejt rikthimit në formën optimale.
Mesfushori shqiptar ishte goditur nga një dëmtim serioz që e kishte mbajtur për një kohë të gjatë larg futbollit. Në mars, Lecce konfirmoi se Berisha nuk do të luante më për pjesën e mbetur të sezonit, çka e bëri rikuperimin e tij një proces të gjatë dhe të kujdesshëm.
Tashmë, rikthimi i tij në skuadër për sfidën ndaj Romës është një sinjal pozitiv. Edhe pse Berisha nuk u aktivizua në humbjen 4-0 të Lecce-s, fakti që ishte sërish i gatshëm për të qenë pjesë e skuadrës pas një rehabilitimi të gjatë është një lajm shumë i rëndësishëm.
Talenti shqiptar shihet si një nga lojtarët me potencial të madh për të ardhmen e Kombëtares. Berisha, i cili luan në mesfushë dhe është pjesë e Shqipërisë që prej debutimit me ekipin A në vitin 2024, ka nevojë tashmë për minuta dhe ritëm për të rikthyer nivelin që kishte përpara dëmtimit.
Rikthimi i tij është padyshim një lajm që gëzon edhe tifozët kuqezi, të cilët presin ta shohin sërish Medon Berishën në fushë dhe në formën e tij më të mirë. /Sport Ekspres/