Europa League mund të kthehet për ekipet shqiptare, Egnatia mund t’i bëjë nder të madh Shqipërisë

Europa League ka disa sezone që nuk është më pjesë për ekipet shqiptare. Vetëm vendi i parë i Superligës mund të shkojë në fazën e parë të Champions League, ndërsa tre ekipe të tjerë shkojnë në Conference League. Por askush nuk mbërrin më në Europa League si dikur pasi me hyrjen e Conference League, ka një tjetër sistem pikësh dhe gjithçka lidhet me koeficentin e kampionatit. Pas disa viteve jo të mira, Shqipëria ka bërë një hap galopant këtë vit teksa me dy ekipe ka shkuar në Play Off, e në fund ishte Egnatia që mbërriti në grupe të Conference League.

Aktualisht Shqipëria ndodhet në vendin e 42, duke rikuperuar ndjeshëm pozicionet dhe është e sigurt se në fund do të marrë të paktën vendin e 40, pasi Moldavia dhe Ishut Faroe kanë ngelur pa asnjë ekip. Ideja është që vendi i fundit që të jep një ekip në Europa League është vendi i 33. Kosova ishte shumë afër këtij objektivi, por mbeti pa asnjë skuadër në fund, atje ku humbi dhe Drita. Ndërkohë nëse Egnatia do të përfitojë nga shorti dhe do të marrë disa fitore radhazi, me një tjetër sezon të mirë veror, nuk përjashtohet mundësia që pas 2 vitesh, Shqipërisë t’i rikthehet Europa League. Gjithcka fillon me Egnatian… /Sport Ekspres/