Olsi Rama po shfaqet gjithnjë e më aktiv në tregun ndërkombëtar të transferimeve, duke zgjeruar aktivitetin e tij përtej rolit si drejtor i përgjithshëm i Partizanit. Rama ka bërë të ditur së fundmi se ka qenë pjesë e grupit që ka punuar për një prej transferimeve më të rëndësishme të futbollit shqiptar këtë merkato. Bëhet fjalë për kalimin e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, nga Atalanta te Al-Diriyah, klub që garon në Saudi Pro League.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Olsi Rama shprehu kënaqësinë për kontributin e tij në realizimin e marrëveshjes, duke falënderuar edhe menaxherët e tjerë që morën pjesë në këtë operacion. “Jam i lumtur që kontribuova në kalimin e kapitenit të Kombëtares sonë nga Atalanta te Diriyah Club në Saudi Pro League”, deklaroi Rama, ndërsa i uroi Gjimshitit suksese në aventurën e re. Transferimi i mbrojtësit shqiptar drejt Arabisë Saudite përbën një tjetër lëvizje të rëndësishme në karrierën e tij, ndërsa raportohet se Gjimshiti do të përfitojë një pagë të konsiderueshme. Ndërkohë, për Olsi Ramën ky angazhim tregon se ai po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në tregun e transferimeve ndërkombëtare. /Sport Ekspres/