Rasti i trishtë i kampionit të botës për Shqipërinë! Medaljet nuk i hyjnë në punë, nuk është…anëtar partie

Po, është e tmerrshme mënyra sesi trajtohen sportistët në Shqipëri. Shikoni pak rastin e Daniel Godellit, imagjinoni një jetë të përkushtuar për stërvitjen dhe sportin e peshëngritjes. Shumë suksese të arritura me djers dhe mund në kushte komplet të pabarabarta. Nëse të tjerët stërviteshin në kushte optimale, kushtet që janë në Shqipëri për të ushtruar këtë sport linin për të dëshiruar. Nëse të tjerët që duhej të konkurroje kundër tyre për medalje dilnin me një ushtri ndihmësash dhe trajnerësh, sportistët tanë dilnin…thuajse të vetëm.
Dhe në mesin e kësaj gare të padrejtë, Daniel Godelli i dha Shqipërisë plot 50 medalje. Madje duke qenë i vetmi kampion bote në dygarësh. Por kjo nuk mjaftoi kur në 2023 Qeveria veshi me gradë kolonel disa sportistë, por mes tyre harrojë qëllimisht të pabindurin…Daniel.

I pabinduri Daniel është harruar jo më kot, pasi nuk është nga ata të Partisë. Nuk është nga ata njerëz që mund t’i besosh për të mbyllur gojën ose për të reklamuar punën e mirë të Qeverisë Shqiptare, qoftë edhe për një gradë, nuk e bën një gjë të tillë.
Dhe një tjetër reagim ka ardhur nga Daniel Godelli në rrjetin e tij social në Facebook që tregon gjithë situatën e trishtë, për mënyrën sesi atdheu i ktheu kurrizin ose më saktë Qeveria, duke i shkaktuar neveri për gjithë ato vite kontribut me dëshirën dhe motivin për të ngritur lart flamurin e Shqipërisë. Papritur, ai flamur, nuk është më kuq e zi, tashmë po kthehet në flamur partie.

“Në vitin 2023 nuk m’u dhanë gradat honorifike. Sot dëgjoj arsye dhe interpretime të tjera. Kjo ngre një pyetje shumë të thjeshtë: cili është arsyetimi i vërtetë?
Nëse në vitin 2023 nuk i plotësoja kriteret, kur isha sportist aktiv dhe çdo dokument ishte në rregull, ndërkohë që kolegë të tjerë në të njëjtën situatë i përfituan gradat, atëherë pse sot dalin arsye të reja? Ku qëndron përgjegjësia: te institucionet apo te unë?

Nëse, nga ana tjetër, kriteret i plotësoja, atëherë pse ligji nuk u zbatua edhe në rastin tim? Nuk mund të ndryshojnë arsyet sa herë që ngrihet kjo çështje. Institucionet duhet të flasin me fakte, me dokumente dhe të zbatojnë të njëjtin standard për çdo sportist. Unë nuk kërkoj privilegje. Nuk kërkoj trajtim të veçantë. Kërkoj vetëm drejtësi, transparencë dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë”, shkruan Godelli. /Sport Ekspres/