Shokët e ekipit e marrin në krahë teksa Daku shpërthen në lot, Mirlindi largohet me gol nga Rubin Kazani

Mirlind Daku nuk do të jetë më lojtar i Rubin Kazanit. Sulmuesi shqiptar ka luajtur ndaj Akron Toliatit ndeshjen e tij të fundit me skuadrën ruse. Futbollisti i Kombëtares kuqezi ka tundur rrjetën për të dytën herë radhazi në këtë sezon të ri, duke i dhënë kështu lamturmirën skuadrës në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pas përfundimit të lojës, Daku nuk mundi t’i fshihte emocionet e tij. Sulmuesi nga Gjilani shpërtheu në lot përpara tifozerisë së tij. Lot që rridhnin si një dëshmi e lidhjes së fortë shpirtërore që kishte krijuar me klubin e Rubin Kazanit dhe me tifozerinë e tij. Ndërkohë, shokët e skuadrës e kanë marrë në krahë si një mënyrë për të treguar respektin për kontributin që ai ka dhënë në këto sezone. Mirlind Daku do të vazhdojë të luajë ne Rusi, por tashmë do të veshë fanellën e një klubi me emër, si Spartaku i Moskës./Sport Ekspres/