Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar fundin e një epoke për kombëtaren braziliane, duke bërë të ditur se Neymar, Casemiro dhe Danilo nuk do të jenë më pjesë e planeve të tij për të ardhmen. Tekniku italian deklaroi se Kupa e Botës ishte fundi i një brezi që ka dhënë shumë për “Seleçaon”, por se tani ka ardhur momenti për të ndërtuar një skuadër të re.
“Besoj se kjo Kupë Bote ishte fundi i një brezi shumë të rëndësishëm lojtarësh. Duke nisur nga Neymar, duke vazhduar me Danilon dhe Casemiron. Të gjithë lojtarët që ishin mbi 30 vjeç gjatë Botërorit nuk do të jenë më me ne”, u shpreh Ancelotti.
Ky vendim shënon një ndryshim të madh në filozofinë e kombëtares braziliane, e cila pritet të mbështetet te futbollistët e rinj për ciklin e ardhshëm ndërkombëtar. Neymar, Casemiro dhe Danilo kanë qenë ndër figurat më të rëndësishme të Brazilit në dekadën e fundit, duke marrë pjesë në disa Kupa Bote dhe turne të mëdhenj kontinentalë.
Ancelotti synon të ndërtojë një skuadër më dinamike dhe konkurruese për sfidat e ardhshme, duke u dhënë hapësirë talenteve të rinj që pritet të udhëheqin Brazilin në vitet në vijim. Deklarata e tij konfirmon zyrtarisht mbylljen e një cikli historik dhe nisjen e një faze të re për një nga kombëtaret më të suksesshme në historinë e futbollit. /Sport Ekspres/