Ndërkohë që Kupa e Botës 2026 po dhuron emocione të mëdha në fushë, një tjetër “shfaqje” ka nisur në ambientet jashtë fushave. Nana Kwaku Bonsam, spiritualisti ganez i cili u bë i famshëm për pretendimet se kishte “mallkuar” Harry Kane, ka dalë me një profeci të re, e cila ka trazuar rrjetet sociale.
Bonsam, i njohur për deklaratat e tij kontroverse, ka shkuar përtej analizave taktike. Ai ka deklaruar se “plani astral” ka vendosur tashmë fatin e trofeut: fituese e edicionit të vitit 2026 do të jetë Portugalia e Cristiano Ronaldos. Sipas spiritualistit, ylli portugez është i destinuar ta mbyllë karrierën e tij me trofeun më të lakmuar në botë.
Për më tepër, Bonsam ka parashikuar një goditje të fortë për Argjentinën e Lionel Messit. Ai pretendon se udhëtimi i “Albiceleste” do të ndërpritet në mënyrë dramatike në fazën e 1/16-ve, ku sipas tij, do të eliminohen nga kombëtarja e ishullit të Kepit të Gjelbër. Këto parashikime kanë ndezur debate të shumta mes fansave, duke shtuar një dozë misteri dhe supersticioni në këtë Botëror. Nëse këto fjalë do të përputhen me realitetin në fushën e blertë, mbetet për t’u parë në javët në vijim. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/