Investimet e FSHF / Fusha e re e sportit në Krujë drejt përfundimit, nis shtrimin e tapetit

Punimet për ndërtimin e fushës së vjetër të sportit në qytetin e Krujës kanë hyrë në fazën përfundimtare. Pas përfundimit të bazamentit dhe sistemit të drenazhimit, ka nisur edhe shtrimi i tapetit artificial, një nga etapat e fundit të këtij investimi të rëndësishëm për infrastrukturën sportive të qytetit.

Për të ndjekur nga afër ecurinë e projektit, FSHF zhvilloi së fundmi një inspektim në terren. Drejtori i Departamentit të Projekteve Infrastrukturore në FSHF, Kevin Lleshi monitoroi ecurinë e punimeve dhe në një prononcim për fshf.org tregoi se për shkak të problematikave të shkaktuara nga reshjet gjatë dimrit, projekti u rishikua për të garantuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe cilësore.

“Pas problematikave të shkaktuara gjatë dimrit, u desh të rishikonim projektin në qytetin e Krujës dhe në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë, morëm masa për të garantuar një zgjidhje cilësore dhe afatgjatë për këtë investim. Jemi të kënaqur që tashmë kemi hyrë në fazën finale të punimeve, në shtrimin e tapetit artificial dhe shumë shpejt qyteti i Krujës do të ketë një fushë moderne dhe cilësore për të gjithë komunitetin sportiv”, – nënvizon Kevin Lleshi për fshf.org.

Projekti po realizohet nga FSHF në bashkëpunim me Bashkinë e Krujës dhe synon të krijojë kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe stërvitjen e futbollistëve të rinj. Ky investim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë vendin.