Diego Simeone është larguar me kokën lart nga Liga e Kampionëve. Trajneri i Atletikos ka folur për mediat pas eleminimit në gjysmëfinale nga Arsenali. Ai ka përgëzuar kundërshtarin, për të cilin ka thënë se e meritoi kualifikimin. Pavarësisht eleminimit, Simeone nuk e fsheh krenarinë e tij për faktin që mbërriti deri në këtë fazë të turneut më të rëndësishëm për klube.
“Nëse u eliminuam, kjo ndodhi sepse kundërshtari e meritonte, duke filluar me qendrimin klinik në pjesën e parë. Ndihem i qetë dhe në paqe, duke e ditur se skuadra dha absolutisht gjithçka që kishte. Mund ta kishim fituar ndeshjen e parë, por nuk ishim aq klinikë sa duhej. U përmirësuam në pjesën e dytë, por pati situata që nuk shkuan në favorin tonë.
Arritëm në një vend që askush nuk e imagjinonte, të garonim kundër një kundërshtari shumë të mirë, dhe garuam me pikat tona të forta sa më mirë që mundëm. Falënderimet e mia për tifozët dhe lojtarët. Jam krenar për vendin ku jam. Thashë në parasezon se do të garonim dhe ia dolëm. Fatkeqësisht, nuk fituam asgjë, por arritëm në vende që nuk janë të lehta për t’u arritur”, është shprehur Diego Simeone./Sport Ekspres/