“Nuk ma ndjen për gabimet, unë e shijova”, Henri duartroket PSG-ne dhe Bajernin: Pamë dy ekipe që donin të luanin sy për sy

Tieri Henri ka mbetur i mrekulluar nga përballja e gjysmëfinales mes PSG-së dhe Bajernit të Mynihut. Ish-sulmuesi francez ka komentuar sfidën në emisionin “Golazo” në “CBS Sports”, ku është shprehur se e ka shijuar këtë ndeshje. Ai ka shtuar se kjo sfidë ka qenë ndryshe nga futbolli që po luhet vitet e fundit, i cili sipas tij ka qenë i mërzitshëm.

“Kemi folur se shohim shumë ekipe që nuk ndërmarrin rreziqe, lojtarë që nuk driblojnë e që nuk shkojnë përpara, ekipe që mendojnë për të mos e humbur ndeshjen në vend që ta fitojnë atë. Nëse ke mendime mbrojtëse, do të çmendesh me disa gjëra që u panë sot (dje). Por mua nuk ma ndjen. Kemi një vit që ankohemi se futbolli po bëhet i mërzitshëm. Por kjo ndeshje nuk ishte e mërzitshme.

Unë e shijova dhe mendoj se edhe tifozët në shtëpi e kanë shijuar. Është një rezultat që zakonisht e sheh si rezultat të përgjithshëm të të dyja ndeshjeve. Pamë lojtaë të mëdhenj, të gjithë u shfaqën. Pamë gola, pamë duele, i pamë të gjitha. Pamë dy skuadra që donin të luanin sy për sy me njëra-tjetrën”, ka deklaruar Tieri Henri./Sport Ekspres/