Bajern Mynih-Real Madrid ishte nga ato ndeshje që të bën të përjetosh emocionet e vërteta të Ligës së Kampionëve. Bavarazët fituan me rezultatin 4-3 dhe siguruan kështu kualifikimin për në gjysmëfinale. Në intervistën e dhënë pas përfundimit të ndeshjes për “Prime Video”, Harri Kejni është shprehur se kjo sfidë ishte “e çmendur” që nga fillimi i saj. Në nivel individual, ai ka thënë se puna është bërë më e lehtë për të që pas ardhjes së Vinsent Kompanisë në rolin e trajnerit.
“Ishte një ndeshje e çmendur, që nga fillimi. Ishte një ndeshje e ashpër. Na ndëshkuan në tranzicione, por ne duhej të qëndronim të qetë në pjesën e dytë dhe të prisnim fundin. Kjo është ajo që ndodhi pas përjashtimit të Kamavingës dhe ne fituam.
Më pëlqen t’i ndihmoj shokët e skuadrës me pasimet e mia. Të lëvizurit më prapa më ndihmon gjithashtu të gjej hapësirë dhe ua vështirëson kundërshtarëve të më markojnë. Që kur Kompani ka ardhur këtu, është bërë më e lehtë për mua”, ka thënë Harri Kejni./Sport Ekspres/