Përflitet për të marrë drejtimin e Italisë, Antonio Konte: Është e drejtë që emri im të jetë pjesë e listës

Xhenaro Gatuzo është larguar nga detyra e trajnerit të Italisë pas dështimit për t’u kualifikuar në grupet e Kupës së Botës 2026. Emri i trajnerit të ri të Kombëtares është tema kryesore e ditëve të fundit në mediat italiane. Antonio Konte është një nga kandidatët që po përflitet së tepërmi, teksa shihet si një alternativë mjaft serioze për të ringritur “axurrët”. I pyetur në konferencë për shtyp në lidhje me këtë çështje, kreu i pankinës së Napolit ka deklaruar se e sheh mjaft normale që emri i tij qarkullon në listën e kandidatëve të mundshme për të marrë drejtimin e Italisë. Ai ka shtuar se në fund të sezonit do të ulet dhe do të diskutojë me presidentin De Laurentis për të ardhmen e tij.

“Është e drejtë që emri im të jetë pjesë e listës. Unë kam qenë një herë (trajner i Kombëtares së Italisë), e njoh ambientin dhe më bëhet qejfi. Është bukur të përfaqësosh vendin tënd. E ardhmja? Kam një tjetër vit kontratë me Napolin. Në fund të sezonit do të takohem me presidentin. Pas tre Botërorëve mungesë duhet bërë diçka serioze për Kombëtaren”, ka thënë Antonio Konte./Sport Ekspres/