Kalendari i marsit kuqezi/ Ekipet kombëtare, në misione “ndërkombëtare”, dhe sfida historike

Me hyrjen e muajit mars rikthehen emocionet për të gjithë shqiptarët e apasionuar pas futbollit. Një muaj që sjell jo vetëm kuqezinjtë dhe kuqezezat në fushë për vitin 2026, por edhe objektiva të mëdha dhe sfida historike për të gjitha ekipet tona kombëtare.

Për herë të parë në histori, Kombëtarja A do të luajë në fazën play-off të një Kampionati Botëror, duke shënuar një moment kulmor për futbollin shqiptar. Përballë do të jetë Polonia, një kundërshtar me traditë dhe eksperiencë, në një sfidë që do të zhvillohet në Varshavë më 26 mars, ora 20:45. Në varësi të rezultatit të kësaj përballjeje, Shqipëria do të luajë më 31 mars, ora 20:45, ndaj fitueses ose humbëses së çiftit Ukrainë/Suedi, me gjithçka që do të vendoset nga dueli i 26 marsit.

Edhe Kombëtarja U-21 nis një mision të veçantë ndërkombëtar në Antalia të Turqisë. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi do të përballet në një miqësore speciale me përfaqësuesen e Japonisë më 27 mars, ndërsa tre ditë më vonë do të luajë një tjetër sfidë prestigjioze ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të dyja takimet do të transmetohen live në FSHF TV.

Muaji mars sjell edhe nisjen e një tjetër rrugëtimi për Kombëtaren U-19, që starton fushatën kualifikuese për Europianin 2027. Nën drejtimin e Fatjon Tafajt, kuqezinjtë do të luajnë ndeshjet e grupit B4 në “Shtëpinë e Futbollit”. Më 25 mars do të përballen me Luksemburgun, më 28 mars me Maltën dhe më 31 mars me Norvegjinë, të treja sfidat në ora 15:00.

Në fushë do të zbresë edhe Kombëtarja U-17 për djem, ku trajneri Armand Dama do të debutojë në pankinë në dy ndeshje miqësore ndaj Letonisë, më 26 dhe 28 mars, në stadiumin e Vorës.

Paralelisht, Kombëtarja e vajzave ka nisur përgatitjet për kualifikueset e Botërorit 2027. Skuadra e drejtuar nga Armir Grima do të luajë më 3 mars në transfertë ndaj Malit të Zi në Nikshiq, ora 14:00, ndërsa më 7 mars, ora 18:00, do të presë Çekinë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Të dyja ndeshjet do të transmetohen live në FSHF TV.

Ndërkohë, Kombëtarja U-17 për vajza do të zbresë në fushë më 4 mars në “Shtëpinë e Futbollit”, ora 14:00, përballë Izraelit, në një tjetër sfidë të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar.

Ky muaj është i mbushur me sfida, emocione dhe objektiva të mëdha për të gjitha përfaqësueset kuqezi.

 

Kombëtarja A

Poloni – Shqipëri, 26 mars, ora 20:45, PGE Narodowy

Ukrainë – Suedi/ Poloni – Shqipëri, 31 mars, ora 20:45

 

Kombëtarja U-21 

Japoni – Shqipëri, 27 mars, ora 12:00, Antalia

SHBA – Shqipëri, 30 mars, 15:00, Antalia

 

Kombëtarja U-19

Raundi i parë i kualifikueseve të Europianit 2027

Luksemburg – Shqipëri, 25 mars, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

Shqipëri – Malta, 28 mars, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

Shqipëri – Norvegji, 31 mars, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

 

Kombëtarja U-17

Shqipëri – Letoni, 26 mars, ora 11:30, Vorë

Shqipëri – Letoni, 28 mars, ora 10:00, Vorë

 

Kombëtarja A – Vajza

Mal i zi – Shqipëri, 3 mars, ora 14:00, Nikshiq

Shqipëri – Çeki, 7 mars, ora 18:00, “Loro Boriçi”