Shqiptarët po presin me padurim të shohin nëse Shqipëria do të shkojë në Botëror, por sot është hedhur shorti i Ligës së Kombeve për Europianin. Një short që e sheh Kombëtaren tonë shumë favorite me një rrugë ideale për të shkuar në Europian për herë të tretë.
Jemi më afër se kurrë atij Europiani të tretë nëse Shqipëria do di të mos nënvlerësojë ekipet kundërshtare pasi ky është i vetmi problem, jo vështirësia e tyre, por nënvlerësimi. Cdo gjë e keqe e ka një të mirë dhe kështu mund të thuhet fakti se Shqipëria doli në vendin e fundit në ediconin e fundit të Ligës së Kombeve.
Falë atij zhgënjimi, Shqipëria ka shkuar në Ligën C. Sot është hedhur shorti i Ligës së Kombeve dhe Shqipëria gjendej në vazon e parë të Ligës C. Kuqezinjtë janë kapur të parët në letër, ndërsa më pas në grupin tonë janë gjendur Finlanda, Bjellorusia dhe San Marino.
Në pamje të parë është vetëm Bjellorusia që mund të hap pak probleme për Shqipërinë, ndërsa dy kundërshtarët e tjerë janë shumë lehtë për t’u mundur. Pra vendi i parë, është shumë lehtë i arritshëm dhe nëse nuk do ta kapnim, do të ishte dështim.
Por çfarë ndodh nëse Shqipëria del në vendin e parë në Ligën e Kombeve? Ajo që duhet të shpjegojmë është fakti se Liga e Kombeve e Europianit është shumë më e mirë dhe e lehtë se Liga e Kombeve e Botërorit. Nëse del në vendin e parë në Ligën e Kombeve të Europianit duhet të luash edhe dy ndeshje të tjera brenda Ligës për të marrë biletën e Europianit.
Pra Shqipëria do të përballet me fituesin e dy grupeve të tjera brenda Ligës C, ku ekipet më të vështira duken Mali i Zi në grupin e dytë, Kazakistani dhe Sllovakia në grupin e tretë dhe Islanda në grupin e katërt. Në të gjitha rastet janë ekipe që Shqipëria i superon në letër dhe nëse bëjmë detyrën këtu, atëherë bileta e Europianit është në dorën tonë pa hyrë fare në fazën e kualifikueseve të Europianit.
Interesant ishte fakti se në momentin e daljes së ekipeve, në krahun e Shqipërisë, Armand Duka, Ilir Shulku dhe Silvinjo u shfaqën mjaft pozitiv, në krahun e Finlandës ishin paksa në mendim të thellë, ndërsa shumë të zhgënjyer dhe të frikësuar me shortin dhe konkretisht me Shqipërinë ishin te Bjellorusia, që donin një tjetër kundërshtar për të shpresuar për vendin e parë dhe për ta lënë Shqipërinë në përballjet gjysmëfinale ose finale. /Sport Ekspres/