Ernest Muçi ka gjetur sërish formën e tij më të mirë. Sulmuesi shqiptar ka krijuar një vazhdimësi në shënimin e golave, duke u kthyer në një element të rrezikshëm për kundërshtarët. Në prag të sfidës së sotme mes Kocaelisporit dhe Trabzonsporit, nuk mungonte interesimi i gazetarëve për 24-vjeçarin. I pyetur nëse do t’i kushtohej vëmendje e veçantë Muçit, trajneri i Kocaelisporit është përgjigjur se përgatitja do të jetë ekipore dhe jo individuale. Megjithatë ai ka shtuar në fund se do të shpresojnë që ish-lojtari i Tiranës të mos shënojë në këtë përballje.
“Kemi identifikuar disa lojtarë kyç. Nuk e dimë nëse është Muçi, Zubkovi apo kushdo tjetër që do të luajë, por ata kanë lojtarë të rëndësishëm. Do të marrim masa paraprake kundër tyre. Ndoshta nuk do të mendojmë shumë për individët, por do të përqendrohemi në qëndrimin dhe performancën e ekipit. Muçi është një lojtar i mirë, por ne po përqendrohemi te vetja jonë. Shpresojmë që të mos e lejojmë (Muçin) të shënojë në këtë ndeshje”, ka deklaruar Selçuk Inani./Sport Ekspres/