Elseid Hysaj është përjashtuar nga Lacio dhe nuk është futur në listën e ekipit për të luajtur në Serinë A. Një turpërim i madh për mbrojtësin shkodran, që pavarësisht CV së tij dhe faktit se kishte shirit kapiteni te Shqipëria, mbërriti në një pikë të karrierrës ku me siguri nuk i ka besuar syve. Lacio po kërkonte që ta largonte për të shpëtuar rrogën e tij, por duke parë që shqiptari nuk po largohej, zgjodhën këtë formë turpërimi.
Ndërkohë sot është zhvilluar ndeshja e Kupës mes Lacios dhe Napolit, atje ku ekipi i Baronit fitoi në shifrat 3-1 dhe kaloi në çerekfinale. Ajo që i ka habitur të gjithë ishte fakti se Elseid Hysaj e nisi si titullar ndeshjen e sotme, për më tepër në krahun e majtë të mbrojtjes, atë jo të preferuarin. Por si për çudinë e të gjithëve, Hysaj ka zhvilluar një ndeshje spektakolare.
Madje edhe tifozët e Lacios të cilët nisën të qeshnin kur panë emrin e këtij lojtari përpara ndeshjes me Napolin, janë befasuar po kaq shumë nga ndeshja e Elseidit. Të shumtë janë ata që e kanë krahasuar këtë performancë të Hysajt me të Marcelos në kohën kur luante për Real Madridin.
Statistikat flasin shumë për të teksa ka dhënë 37 pasime të sakta nga 42 pasime në total, ka fituar 3 nga 4 duele dhe e ka hequr 6 herë topin. Për LazioPress në Itali, Hysaj ishte më i miri i ndeshjes duke përjashtuar magjistarin Tijani Noslin, që shënoi 3 golat e Lacios kundër Napolit. Noslin u vlerësua me notën 9, ndërsa menjëherë pas tij, nota më e lartë i përkiste Hysajt, 7.5.
“Pasi ka hequr një pjesë të pluhurit nga topat e parë që preku, e mori situatën në kontroll duke vendosur në fushë një nga versionet e tij më të mira. Kush e di, ndoshta në janar me modifikimin e listës do ta bind Baronin për të qëndruar”, shkruhet në vlerësim. /Sport Ekspres/