“Jam fshehur në tualet për të shkuar te grumbullimi i Kombëtares”! Luajti me Malajzinë, Krasniqi: Erdhi Kosova dhe i thashë Shqipërisë…natën e mirë

Lojtarët shqiptarë nuk po furnizojnë vetëm Kombëtaret europiane, por edhe ato për të cilat ne kemi pak njohuri ose aspak për thënë të drejtën. Një prej tyre është edhe Liridon Krasniqi, i cili bëri një bujë të madhe në Malajzi dhe më pas zgjodhi që të luante për këtë Kombëtare. Më parë ai ka luajtur me moshat e Shqipërisë, më pas me Kosovën dhe në fund zgjodhi që të luante me Kombëtaren e Malajzisë. Në një intervistë të fundit për “Telegrafi Sport”, Krasniqi ka treguar edhe disa sekrete nga e kaluara.

“Në atë kohë i shkruaja emaile dhe mesazhe Redi Jupit që të luaja për Shqipërinë. Më pas FSHF organizon një grumbullim për lojtarë nga U-17 deri në U-21 në Luzern, për të parë talentet shqiptarë që ti merrnin nga Kombëtare. Unë isha në Slavia Pragë dhe u nisa me tren nga Praga. Jam fshehur në tualet dhe kam shkuar me tren deri në Zyrih, pastaj në Zyrih kam kapur prapë trenin. Kam pasur një djalë të xhaxhait në Luzern që më mori pastaj dhe shkova te grumbullimi i Shqipërisë. Ishin 150 lojtarë atje, unë shkova pa paralajmërim pa asgjë. Shkoj te recepsioni dhe i thashë se kush ishte përgjegjësi kryesor. I tregova se kush jam dhe hyra në një ndeshje miqësore aty, luajta fenomenal, bëra super ndeshje. Më pas u thirrën 150 lojtarët dhe thanë: “Vetëm tre lojtarë na pëlqyen”. Mes tyre isha edhe unë, u përmend edhe emri im. Nga ai moment jam futur tek moshat e Shqipërisë, më pas erdhi puna për te Kosova dhe i thashë Shqipërisë natën e mirë se ishte Kosova në lojë”, tha Krasniqi. /Sport Ekspres/