Një ditë historike për sportin shqiptar! Tashmë dihet që në sportet e tjera, Shqipëria po përdor një mënyrë për të marrë talentet e shteteve të tjera të cilët nuk janë shqiptarë, por kanë premisa të mëdha për të shkëlqyer në arenën botërore dhe për arsye të ndryshme, nuk përfaqësojnë dot shtetin e tyre. Këtë herë historia e sukesit është ajo e Lara Colturit. Kjo e fundit përfaqësoi Shqipërinë në kampionatin botëror të skive në Austri dhe mori vendin e dytë.
Vendi i parë u rrëmbye nga Mikaela Shiffrin, e cila bën një rekord më vete duke arritur 99 fitore në kampionatin botëror të skive. Pra, Lara Colturi bëri gjithçka që mundej dhe shkoi deri në limitet që mund të arrijë një qënie njërëzore pasi përpara saj doli një skiatore me 99 fitore.
Por jo vetëm kaq, duhet theksuar se Lara Colturi është vetëm 18 vjeç. Kështu për herë të parë në historinë e Shqipërisë, flamuri ynë do të ngrihet në podiumin e një kampionati botëror skish. Por nuk ishte vetëm ky rekordi që shkroi Lara, në fakt ajo shkroi edhe një rekord tjetër pasi kishte disa vite që nuk ndodhte që një 18-vjeçare të arrinte që të ngjitej në podium. Për këtë sukses të madh të Colturit kanë shkruar shumë media botërore, të cilat janë habitur kur kanë parë emrin dhe mbiemrin e vajzës të bashkuar me flamurin kuqezi. Në fakt, karriera e Lara Colturit ishte e paracaktuar. E rritur në një familje ku mamaja dhe babai e ushtronin këtë sport, Lara nuk mund të merrte një tjetër drejtim.
Deri në moshën 15-vjeçare ajo ka konkurruar për Italinë dhe ka korrur disa suksese, por jo në turne të njohur zyrtarisht për shkak të moshës. Më pas për shkak të konkurrencës së madhe në Itali dhe presionit për rezultate, Lara u nis drejt Shqipërisë, për të përfaqësuar vendin tonë. Mamaja e saj ka origjinë të largët nga Shqipëria ndërsa Italia nuk mund ta ndalonte dot pasi sipas rregullave, deri pa mbushur 16-vjeç, një sportist mund të zgjedh që të ndryshojë shtetin që përfaqëson pa pasur miratimin apo lejen e shoqatës që është pjesë. Kështu Lara u nis drejt Shqipërisë, me sigurinë e madhe që do të bëhet një yll botëror. Sot në të gjitha mediat botërore po shkruhet se Shqipëria ka një yll botëror në gjirin e saj dhe se në të ardhmen, Colturi do ta dominojë këtë skenë. Një arritje historike, fantastike, që do të shijonte më shumë nëse do të vinte nga sportistët e lindur dhe rritur në Shqipëri, por deri atëherë, mund të gëzojmë me huazimet nga Europa, rezulton e vetmja mënyrë për të ngritur lart flamurin shqiptar. /Sport Ekspres/