“Ne krenohemi se dolëm të 4-tët në Europian, nuk na duhet ky trajner frikacak”, Hafizi del kundër Silvinjos: Mos i shit kaq shpejt lojtarët

Shqipëria e mbylli edicionin e Ligës së Kombeve në vendin e fundit të grupit B1. Një rezultat që ka lënë të zhgënjyer Astrit Hafizin. Ish-trajneri i Kombëtares ka dhënë një intervistë për “News 24”, ku ka dalë hapur kundër Silvinjos. Sipas tij, trajneri brazilian nuk i duhet kuqezinjve, teksa argumenton se ai nuk e di froën reale të lojtarëve dhe duhet të mbajë përgjegjësi për këto rezultate të dobëta.

“Nuk e prisja vendin e fundit. Por ashtu si u paraqitëm, e merituam vendin e fundit. Treguam që kishim disa dobësi, sidomos në lojën sulmuese. Këto dobësi nuk u përmirësuan asnjë herë. Dikush mund të thojë që ne mbrojtjen e kemi pasur më të mirën. Ne në mbrojtje kemi mjaft gabime. Jemi skuadër që kemi pësuar 6 gola. Pra, në çdo ndeshje kemi pësuar nga një gol dhe kemi shënuar 4 gola. Me sa kuptoj, ai (Silvinjo) nuk njeh lojtarët, forcën e tyre. Ka lojtarë që kanë dhunti dhe aftësi në pozicione të tjera, ky i vendos në pozicione të tjera.

Trajnerë të tillë, me këtë karakter, që nuk guxojnë dhe kanë frikë nga humbja, nuk kemi nevojë. Drejtimi i skuadrës në këtë formë nuk duhet të jetë. Niveli i lojtarëve është mjaft i mirë. Të kesh këtë nivel lojtarësh dhe të mos arrish asgjë… Gabimi kryesor është i trajnerit. Nuk mund të thuash që është edhe gabimi im, edhe i lojtarëve. Mos ia kalo topin lojtarëve. Mos i shit kaq shpejt lojtarët. Trajnerët në gjithë botën thonë: ‘Gabimi ishte i imi’. Marrin përgjegjësi. Ky asnjë herë nuk mban përgjegjësi. Ne nuk kemi bërë asgjë. Krenohemi se kemi dalë të 4-tit në grup në Europë. Niveli i lojtarëve është më i lartë se i trajnerit”, ka deklaruar Astrit Hafizi./Sport Ekspres/