Shqipëria humbi në shifrat 1-2 ndaj Ukrainës në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve. Ndërkohë më poshtë, Sport Ekspres, do të tregojë notat që ne kemi bërë sipas vlerësimeve tona për disa prej lojtarëve të Kombëtares.
Thomas Strakosha (5.5): “Bëhet gjithmonë heroi i Shqipërisë për të shpëtuar goleadën ose në rastin më të mirë, të mbaj ende në lojë dhe të lërë rezultatin me një gol diferencë në favorin e kundërshtarëve. Por asnjëherë nuk bëhet shpëtimtar për të ruajtur pikën, një fitore ose barazim. Në lojën me këmbë ka probleme serioze. Edhe kur kërkohej që të topi të luhej me shpejtësi, Strakosha duhej ta kontrollonte tre herë përpara se ta pasonte te Mitaj ose Balliu, ndërkohë kundërshtari ishte vendosur në prapavijë. Nuk premton për të ardhmen”.
Balliu (5.5): “Balliu është fytyra e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, një ndeshje e nxjerr në nivelin e lartë dhe të kujton Di Marcon apo Theo Hernandezin, në stilin e tyre të lojës pasi i përkasin një tjetër krahu dhe në tjetrin, të kujton Elseid Hysajn. Në ndeshjen me Gjeorgjinë ishte si një bishë e lëshuar nga kafazi, në dy ndeshjet e nëntorit, në nivel ndjeshëm më të dobët. Këtë herë i mungoi qartësia në daljet sulmuese, pastaj në mbrojtje ka bërë shpesh disa gabime. Në minutat e fundit ishte aq kaotik sa të bënte të vendosje duart në kokë. Sapo ishin akorduar minutat shtesë dhe të gjithë tifozët prisnin aksionet e Shqipërisë për golin e barazimit, ishim në kulmin e adrenalinës dhe Balliu vendosi të bëhej gjyqtari i ndeshjes dhe të vërshëllente tre herë përpara kohe. Disa gabime të njëpasnjëshme, Ukraina qëndroi në zonën tonë dhe aty u mbyll historia. Strakosha e shpëton nga një tjetër gafë e madhe që mund të sillte golin e tretë”.
Ismajli (6): “Shpesh e kishim thënë që ishte mbrojtësi i vetëm prej të cilit Shqipëria nuk e kishte pësuar një gol prej gabimit të tij. Madje edhe Gjimshiti kishte gabuar, por ende jo Ismajli. Dhe gabimi i parë mbërrin për Ardianin, i shpëtoi lojtari i Ukrainës në mbulim ku shënuan golin e dytë. Sigurisht, është njerëzor. Duke hequr atë moment, pjesa tjetër është shumë e mirë për Ardianin. Edhe kur e gjithë Shqipëria shkon përpara në sulm, jep garanci mbrapa duke fituar shumë duele ku qëndron tek për tek me kundërshtarin”.
Asllani (6.5): “Në Shqipëri ka komente shpesh komike, po kritikohej Asllani kundër Cekisë se nuk shënoi nga goditja e dënimit. E vetmja kritikë për të është që duhet të largohet nga Interi, sa më parë të jetë e mundur. Pjesa tjetër, te Shqipëria është i padiskutueshëm. Në pjesën e parë tregohet pak kaotik dhe nervoz me pasimet e tij, duke bërë disa gabime. Por më pas e rrit shumë nivelin e tij dhe i jep një top brilant Bajramit që e nxjerr para portës kundërshtare, ndërsa vetë Asllani po qëndronte në fushën e Shqipërisë. Bajrami e shpërdoroi, por lojtarë të tjerë që të shpikin një rast të pastër në këtë mënyrë siç bën Asllanin, Shqipëria nuk ka.
Ylber Ramadani (5): “Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me këtë lojtar, por Serie A e ka ndryshuar. Një rast tërësisht i pashpjegueshëm, kur ishte në Skoci po mbante një formë të magjishme te Shqipëria. Më pas kur u mësua se Ramadani do të mbërrinte në Serinë A, të gjithë u gëzuan duke menduar se Ramadani do të vazhdonte rritjen, por te Kombëtarja ka vetëm regres që nga koha e Italisë. Topat e kthyer mbrapa gjithë kohën edhe në momentin kur jemi në sulm dhe kërkohet të goditet porta kundërshtare të bëjnë me dhimbje koke. Po vuajmë shumë në rolin e Ylberit për fat të keq, ky lojtar duhet të zgjohet. Futbolli do këmbë dhe ide, nuk mjafton dëshira dhe djersa”.
Ernest Muçi (6.5): “Ka aromë futbollisti. Edhe në momentin kur askush nuk po luante siç duhet te Shqipëria, Muçi kishte prekjen tjetër të topit, atë të një lojtari që quhet kalibër i rëndë. Mënyra sesi i ikën kundërshtarit në fundin e pjesës së parë, ishte lëvizje që shihet vetëm nga futbollistët brazilian. Talenti më i madh që ka prodhuar Shqipëria, por kujdes, nuk ka ende fuqinë për të vendosur ndeshjen dhe për të bërë heroin. Ka ende shumë punë përpara, veçanërisht duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje fizikut, lë për të dëshiruar në atë aspekt”.