Entuziazmi dhe shpresa u rrit së tepërmi te Shqipëria pas asaj fitore të marrë në transfertë kundër Gjeorgjisë, në shifrat 0-1. Dukej se në atë ndeshje morëm maksimumin tonë, por në fakt nuk ndodhi kështu, u gabua shumë në llogari dhe këtë do ta shpjegojmë më poshtë. Pas atyre tre pikëve të marra, gjithçka kaloi në duart e Shqipërisë. Nëse kuqezinjtë fitonin kundër Çekisë dhe Ukrainës në nëntor, merrnim automatikisht vendin e parë.
Për të qenë më të sinqertë, ekzistonte sërish edhe një mundësi që Shqipëria të dilte e dyta, edhe nëse i fitonte të dyja ndeshjet e nëntorit. Kjo do të ndodhte vetëm nëse Gjeorgjia i fitonte të dy ndeshjet e saj, kundër Ukrainës në shtëpi dhe Cekisë në transfertë. Nëse kjo do të bëhej e mundur, atëherë edhe nëse Shqipëria do të merrte pikët maksimale në nëntor, do të ishte sërish e dyta.
Por pasditen e 16 nëntorit, para se të futeshim në fushë me Cekinë, mësuam se ndeshja Gjeorgji-Ukrainë ishte mbyllur në barazimin 1-1. Më mirë, nuk mund të bëhej, Shqipëria do të ishte matematikisht e para nëse fitonte të dyja ndeshjet në shtëpi, nuk kishte asnjë llogari tjetër matematikore që na prishte festën.
Si për çudi, Silvinjo futet në lojë për barazim kundër Çekisë në Air Albania. Për më tepër, trajneri shfaqet i lumtur për pikën e marrë në barazimin pa gola, 0-0. Por cilat janë shanset reale të Shqipërisë për të marrë vendin e parë pas këtij barazimi? Rrugët janë vetëm dy, njëra më e pamundur se tjetra, na mban në lojë vetëm matematika pasi praktikisht, jemi të dalë nga gara, nuk do të jemi ne të parët.
Shansi më logjik për ne që të na nxjerrë në vendin e parë është më anormali, barazimi mes Cekisë dhe Gjeorgjisë. Fituesja e këtij takimi do të shpallet zyrtarisht edhe fituesja e grupit tonë, do të marrë vendin e parë. E parë në këtë prizëm, është tërësisht e pamundur sesi në këtë takim Cekia dhe Gjeorgjia të marrin rezultatin që i leverdis vetëm Shqipërisë, barazimin. Sigurisht, kjo e kombinuar me fitoren tonë kundër Ukrainës.
Ndërkohë rruga tjetër është një shfrenim imagjinate. Nëse Shqipëria fiton ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjia kundër Cekisë, do të përfundonim në vendin e parë me barazim pikësh, por Gjeorgjia do të qëndronte në vendin e parë para nesh dhe do të kalonte Shqipërinë të dytën. Në rast barazimi pikësh, vendosin ndeshjet direkte. Këtu vjen një keqardhje e madhe për dy rastet e arta që Nedim Bajrami shpërdoroi në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Futbollisti i Rangers e mori shumë lehtë dhe buzëqeshi kur u pyet nga gazetari pas asaj fitore sa i përket atyre dy rasteve, duke thënë se do të shënonte herën tjetër dhe se me rëndësi ishte fitorja.
Por ja ku vijmë në pikën ku nëse Bajrami do të kishte shënuar, Shqipëria do të kalonte Gjeorgjinë dhe do të merrte vendin e parë. Pasi Gjeorgjia fitoi 0-1 në Tiranë dhe ne fituam 0-1 në Gjeorgji, do të vendosi diferenca e golave që flet shumë në favor të gjeorgjianëve. Diferenca e tyre është plus 2 ndërsa e Shqipërisë është minus 1. Pra, mundësia e dytë sesi Shqipëria mund të marrë vendin e parë është nëse Gjeorgjia fiton me një gol diferencë ndaj Cekisë, 0-1, 1-2 ose 2-3 dhe nga ana tjetër Shqipëria fiton 5-0 ndaj Ukrainës. Ndërkohë nëse Gjeorgjia rrit diferencën në 2 gola avantazh ndaj Cekisë, Shqipëria duhet të fitojë 6-0 me Ukrainën. Është vetëm një mundësi matematikore, pasi ka 0% që të ndodh realisht. Këto janë dy rrugët e vetme sesi Shqipëria merr kryesimin, mëkati më i madh qëndron në atë ndeshje të fituar në Gjeorgji ku nëse do të ishim treguar më të kujdesshëm në sulm, mund të kishim fituar me dy gola avantazh. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë mjaftonte një barazim ose fitore e Gjeorgjisë në Ceki, për të dalë ne në vendin e parë, duke marrë gjithmonë parasysh fitoren me Ukrainën. Ndërkohë me një fitore të Cekisë ndaj Gjeorgjisë, mbyllet çdo gjë për Shqipërinë. /Sport Ekspres/