Zëri i Ajetit duhet të jetë zëri i të gjithë shqiptarëve, në futboll nuk ka vend për vërshëllima

“I bëjmë thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë nesër himnin e Çekisë. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur në Çeki, ne duhet të tregojmë anën tonë të mirë”, ky ishte mesazhi i përsjellë në konferencë për shtyp nga Arlind Ajeti. Zëri i mbrojtësit të Bodrumsporit duhet të jetë zëri i të gjithë shqiptarëve mbrëmjen e së shtunës.

Në futboll nuk ka vend për ndasi dhe mllefe. Përkudrazi, sporti duhet të shërbejë si një urë bashkimi për popujt. Veprimi i ultrasve çekë në ndeshjen e fundit në Pragë ka lënë një shije të hidhur te çdo shqiptar, por reagimi në të njëjtën mënyrë asesi nuk mund të jetë zgjidhja. “Hakmarrja” më e mirë nuk është ajo në tribuna, por ajo në fushën e lojës. Në fund të fundit, në futboll kurrë nuk është fituar me vërshëllima./Sport Ekspres/