Silvinjo doli në konferencë për shtyp para ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë kundër Suedisë. Trajneri kërkoi nga lojtarët që të lënë pas krahëve atë që ndodhi kundër Kilit dhe të kërkojnë suksesin ndaj Suedisë.
“Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe tani kishim dy miqësore, që të përgatitemi sa më mirë për Europianin. Sigurisht që është e paevitueshme që lojtarët të mendojnë për listën e Europianin. Ne punojmë të gjithë bashkë. Suedinë e kërkonim me patjetër në miqësore, kur po vinim këtu në konferencë po shikonim fotot e Suedisë në stadium, me Larson, Ibrahimovic, cfarë historie brilante.
Nesër duhet të jemi gati që të përballojmë një ekip të nivelit të lartë dhe lojtarët i kam parë të motivuar. Nesër mund të kemi ndryshime në formacion. Nuk duhet të harrojmë se lojtarët e ekipit tonë kanë vetëm 10 ndeshje me njëri-tjetrin, nuk kanë nga 4-5 vite. Ne me Kilin humbëm 0-3, futbolli ky është, nuk mendoj se ishte rezultat i drejtë. Atë humbje duhet ta lëmë pas krahëve, por duhet të theksojmë se Shqipëria ka një nga mbrojtjet më të mira të Europës, këtë e thonë shifrat. E nëse pastaj pësojmë tre gola, nuk e ka fajin mbrojtja, por gjithë ekipi”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/