Shqipëria luan sot në orën 20:45 miqësoren e parë për muajin mars, atë kundër Kilit. Në një lidhje të drejtëpërdrejtë me “Supersportin” nga stadium “Enio Tardini” ka folur Pablo Zabaleta. Krahu i djathtë i Silvinjos ka shpjeguar zgjedhjen e bërë në majën e sulmit, ku fanella e titullarit i është besuar Rei Manajt.
“Është një ndeshje miqësore, por nuk i qasemi në mënyrë të tillë. Duhet të kemi mentalitetin e duhur për të dhënë 100%. Duam ta përgatisim këtë ndeshje si një test të vërtetë. Përballë kemi një kundërshtar të fortë. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv.
Këtë herë kemi tre opsione në sulm. Cikalleshi ka qenë sulmuesi ynë kryesor, ka luajtur 8 ndeshje si titullar. E dimë se çfarë di të japë ai. Kështu që duam të shohim edhe lojtarët e tjerë që kemi në dispozicion. Manaj po bën një kampionat të mirë në Turqi dhe duam të shohim çfarë mund t’i japë skuadrës. Të luajturit kundër Kilit është diçka e ngjashme me atë që mund të gjejmë në Europian. Italia, Kroacia, Spanja janë të ngjashme me të. Në këtë kuptim, është një test i mirë.
Muçin e shohim më shumë si një numër “10”-sh. Ai luan pas sulmuesit. Por mund të luajë edhe në të majtë, apo në të djathtë. Edhe te Beshiktashi ka luajtur në krahë. Është një lojtar që e ndjekim, ka një goditje të mirë nga distanca”, ka thënë Pablo Zabaleta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/