Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ka hapur mundësitë për kompani biznesi të interesuara të hyjnë në në marrëdhënie partneriteti me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit.
Marrë parasysh ecurinë dhe përmasat e larta komerciale që ka marrë Kombëtarja, kjo është një mënyrë shumë e mirë promovimi për të gjitha bizneset që dëshirojnë të asociojnë imazhin e kompanisë së tyre me Kombëtaren.
Federata Shqiptare e Futbollit ka si qëllim promovimin dhe rritjen e futbollit në Shqipëri dhe duke bashkëpunuar me FSHF, kompanitë japin kontributin e tyre në këtë kauzë, por dhe në kauza të tjera të rëndësishme për shoqërinë shqiptare siç janë futbolli i vajzave, të drejta të barabarta, investimi tek infrastrukturat sportive, etj.
Sipas ofertave dhe kushteve të përcaktuara do të vendoset mënyra e vizibilitetit të markës dhe promovimit të bashkëpunimit të cilat mund të jenë në forma të ndryshme (sponsor diamond, sponsor gold, furnitor zyrtar etj).
Kompanitë e përzgjedhura do të asociohen me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit dhe në të njëjtën kohë do të kenë dhe reklamim vizual në mënyrat e vendosura në kontratë sipas ofertës dhe Rregullores së Sponsorizimit të FSHF.