Igli Tarë ka dhënë një intervistë për “Radio Serie A” një ditë pas fitores së rëndësishme të Lacios kundër Bajernit të Mynihut. Ish-drejtori sportiv i bardhekaltërve ka folur për raportin e vështirë që kishte me Mauricio Sarrin. Ai thotë se e vlerëson Sarrin si trajner, por ishte mjaft e vështirë për të komunikuar me të jashtë fushe. I pyetur për një rikthim te Lacio, Tare është shprehur se ky nuk është një prioritet i tij për momentin. Ai thekson se ka bërë zgjedhjen e duhur për t’u larguar nga bardhekaltrit.
“(Sarrin) E konsideroj një trajner të mirë, por jashtë fushës është e vështirë të krijosh një marrëdhënie, kam luftuar shumë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Të gjithë ishim të vetëdijshëm për këtë kufi komunikimi që ai ka, por zgjedhja e bërë tre vjet më parë lindi sepse epokës së Inzaghit po i vinte fundi dhe lindi nevoja për të revolucionarizuar dhe krijuar një projekt tronditës, të kundërt me atë që kishim me Inzaghin. . Zgjodha ta çoja në Romë, në marrëveshje me presidencën. Unë kurrë nuk kam pasur probleme me të, madje ai ma ka konfirmuar këtë në një darkë para ndeshjes së fundit të kampionatit të kaluar. Hakmarrja është pjesë e punës sonë. Gjithmonë ka vizione të ndryshme, por i yni duhet të përputhet për të mirën e Lacios, rëndësi ka objektivi i përbashkët.
Rikthimi te Lacio? Nuk e di nëse do të kthehesha, nuk është prioriteti im për momentin. E di që bëra zgjedhjen e duhur për t’u larguar, doja të lija Lacion në majë. I thashë gruas sime, kur të vijë ajo ditë dua që në “Olimpiko” të shiten të gjitha biletat. Kemi qarë dhe jemi përqafuar pas ndeshjes Lacio-Kremoneze me stadiumin plot. Iu kujtua ajo fjali. E imja është një histori motivimi për të rinjtë që në jetë duhet të dinë se për të arritur qëllimin nuk duhet të dorëzohesh kurrë”, ka thënë Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/