“Në pjesën e dytë nuk flitej më për futboll”, Çela kënaqet me lojën: Ky është maksimumi i kapacitetit tonë, uroj të kemi edhe fat

Përfundon java e 23-të e “Abissnet Superiores”. Skënderbeut i mjaftoi një gol i hershëm për të marrë tre pikët kundër Kukësit. Rashica u gjend fare pranë vijës fatale në zonën kundërshtare, nga ku në minutën e 6 të takimit e dërgoi topin në rrjetë. VAR-i dha miratimin e tij dhe festa ishte tërësisht legjitime. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, çka solli fitoren e Skënderbeut.

Ndërkohë në “Air Albania” Tirana dhe Erzeni janë larguar në baraspeshë. Erzeni kaloi i pari në avantazh në minutën e 74-t të ndeshjes. Zeka realizoi një gol spektakolar me gjysmëroveshatë, duke befasuar kampin bardheblu. Por nuk vonoi shumë dhe kundërpërgjigja e kryeqytetasve. Hoxhallari dha një harkim në zonë në minutën e 80, i cili u shfrytëzua më së miri nga Kristal Abazaj, që e dërgoi topin në rrjetë. Tirana largohet vetëm me 1 pikë nga “Air Albania”, duke rrezikuar tashmë edhe zonën ‘final four’. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Çela (Kukësi): “Patjetër që jam i mërzitur. Ishte një ndeshje që ishim munduar ta përgatisnim mirë. Që në fillim, pësuam atë gol. Ekipi hyri në lojë. Hyri në ritëm. Pjesa e dytë, edhe për shkak të kushteve atmosferike, nuk mund të flitet më për futboll. Flas për futboll të luajtur. U vu në pah ana fizike e lojatëre dhe ana karakteriale. Jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët. Kështu që do të vazhdojmë të punojmë. Patëm dominim. U munduam t’i minimizuam shumë 1 vs 1 në zonat e rrezikshme. Jam i sigurt që të gjithë lojtarët sot dhanë maksimumin. Ky është maksimumi i kapacitetit që ne mund të japim. Shpresoj që më tej të kemi edhe fat”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *