Një situatë e pazakontë ka përfshirë Chelsea-n. Kjo skuadër ndodhet në mesin e tabelës në Premier League dhe ka marrë disa rezultate negative radhazi. Në media u përfol shumë për ndryshimin e trajnerit, por për fatin e keq, duket se trajneri nuk mund të ndryshohet te londinezët.
Sipas raportimit të mediave britanike, te Chelsea ekziston frika se nëse largojnë trajnerin, atëherë do të shkelin zyrtarisht rregullat e Fair Play Financiar. Kjo pasi Chelsea do të duhet që të paguajë 10 milionë paund Pochetino-n dhe stafin e tij për prishjen e kontratës.
Situata e Chelsea me shifrat ekonomike sa i përket blerjeve dhe shitjeve dihet që është rënduar, ndërsa ky largim i Pochetino-s do t’i jepte goditjen e fundit. Për këtë arsye e vetmja zgjidhje është largimi i Pochetino-s me konsensus nga të dy palët, në mënyrë që trajneri dhe stafi i tij të heqin dorë nga pjesa e mbetur e kontratës dhe e parave, që ka thuajse zero shanse të ndodh.
Nga krahu tjetër, me ose pa Pochetino-n, Chelsea duhet të rregullojë me patjetër shifrën ekonomike të shpenzimeve të tyre dhe është i detyruar që të shes disa futbollistë për shifra të larta. Për këtë fakt Chelsea u investua aq shumë për shitjen e Brojës në merkaton e dimrit, por që nuk u arrit. Largimi i sulmuesit të Shqipërisë në merkaton e verës tani është një detyrë për londinezët, që duhet ta zgjidhin me çdo kusht për t’i shpëtuar dënimeve të mëdha. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/