“Ndeshja shkoi në malore”, Ahmataj zbulon ku çalon Tirana: Na kapin të fikur nga goditjet standarte

Ndeshjet e orës 17:00 të “Abissnet Superiore”-s kanë ofruar emocione të forta për tifozët. Vllaznia-Partizani janë ndalur në barazim 1-1 në “Loro Boriçi”. Të kuqtë gjetën të parët rrugën e rrjetës. Një skemë nga goditja e këndit përfundoi me gol nga ana e Magetit. Megjithatë, Vllaznia u kundërpërgjigj po në pjesën e parë të ndeshjes. Balaj fitoi një 11 metërsh, të cilin e shndërroi në gol në minutën e 42-të.

Ndërkohë spektakël ka ofruar edhe sfida mes Tiranës dhe Skënderbeut. Bardhekuqtë befasuan kryeqytetasit në “Air Albania”, duke i mposhtur me shifrat 3-4. Franklin dhe Shaqe shënuan në minutat 12 dhe 17, ndërsa Abazaj ngushtoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 28. Liço trefishoi rezultatin në minutën e 32-të, por Përgjoni u kundërpërgjigj vetëm 3 minuta më vonë. Ndërkohë në pjesën e dytë të takimit Franklin (62’) dhe Patriku (84’) vulosën shifrat në 3-4. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Ahmataj (Tirana): “E vështirë për ta pranuar këtë humbje. Nga fundi mbetëm edhe me 10 lojtarë. Edhe me 10 lojtarë patëm mundësinë për të shënuar, por nuk ia arritëm dot. Kemi luajtur shumë mirë në këtë periudhë dhe kjo ishte si një ‘kolpo’. Ndeshja shkoi në malore. Pavarësisht se punojmë shumë, sidomos në goditjet standarte, por janë momente neglizhence. Janë momente që na gjejnë të fikur ndonjëherë”.

Shehi (Partizani): “Futbolli i ka të treja rezultatet brenda. Ne kërkojmë që gjithmonë të dalim fitimtar. Nuk ishim të kënaqur me barazimin, kërkonim ta fitonim ndeshjen. Kishim punuar shumë për thellësinë e Grudës, edhe pse kundërshtari ndryshoi krahët, Malën me Grudën. Është një  ndeshje që përfundoi barazim dhe ky është rezultati i fushës. Ana psikologjike ndikon në futboll. Deri te momenti i penalltisë e kishim ndeshjen në kontroll. Na mungoi thellësia në pjesën e parë. Pas pësimit, Vllaznia na vuri në presion me tranzicion. Kërkonim që ta zgjidhnim sulmin shumë shpejt. E humbnim topin shpejt dhe kundërshtari rinisej. Këto na ndikuan të bënim metra më shumë dhe të futeshim në panik në disa situata”.

Osmani (Vllaznia): “Mendoj se gjatë lojës patëm raste edhe ne, por edhe Partizani. Na mungonte qarkullimi i topit, veçanërisht në pjesën e dytë. Në fazën e mbrojtës Partizani na krijonte probleme. Mendoj se ne prapë së prapë luajtëm kundër ekipit më kaulitativ në ligë, kundër kampionit aktual. Kështu që nuk ka vend për shqetësim. Renditja në tabelë e tregon se janë 4-5 ekipe që do të luftojnë për vendin e 4-t”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *