“Kalova shumë netë pa gjumë para Moldavisë”! Silvinjo tregon emocionet e kualifikimit në Europian: Thonë se po të shënonim një gol të dytë, por nuk funksionon kështu…

Miqësoret e marsit dhe shorti i 2 dhjetorit – “ Nuk kemi gjë të përcaktuar, por si kandidat për momentin në mars janë ekipi i Perusë për të luajtur në Itali, Norvegjia dhe Sllovakia për të luajtur në Shqipëri. Akoma nuk kemi vendosur asgjë, ishte dhe Belgjika një mundësi për të luajtur në Tiranë, por e mbylli me një skuadër tjetër. Sigurisht ne do të mundohemi që të përcaktojmë ato skuadra që i përshtaten më shumë, ose që i shërbejnë më shumë stafit teknik por edhe që të jenë të një niveli të pëlqyeshëm për spektatorët shqiptarë. Ajo që dëshiroj realisht dhe ka kohë që e dua këtë, edhe pa e siguruar kualifikimin, është që të luajmë në ndeshjen hapëse kundër Gjermanisë. Rezultati nuk arrihet nëse nuk punon shumë, me seriozitet dhe vlerësimin e duhur për ekipin dhe për fanellën. Kanë bërë çdo gjë mirë dhe janë për t’u falënderuar dhe falënderuar shumë. Ne nuk kemi histori suksesi kaq të mëdha, në fusha të tjera jo e jo, por edhe në futboll nuk kemi histori suksesi kaq të mëdha që të shpërdorojmë ndjenjën e kënaqësisë për atë që kemi arritur”, – përfundoi Presidenti Armand Duka.

Trajneri Silvinjo u shpreh se për të është akoma një ëndërr kualifikimi në “Euro2024”. Tekniku i ekipit Kombëtar rrëfeu edhe njëherë të gjithë eksperiencën e tij me kuqezinjtë duke nisur te disfata me Poloninë e te ndeshja e kualifikimit me Moldavinë.

Kualifikimi në finalet Euro2024 – “Për mua është akoma një ëndërr, ndërkohë për Shqipërinë është hera e dytë që shkon në finalet e një europiani. Sa i përket trajnerëve, mund të them që edhe ata janë emra vërtet të mëdhenj. Sot është Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta dhe ne besojmë shumë në punën tonë, por pa  harruar punën që ka bërë Panuçi apo Reja pasi janë pak a shumë ata lojtarë, e njëjta gjeneratë me djem shumë të rinj. Ata dhe puna e tyre ka qenë shumë e rëndësishme për mua, në këtë moment. Për këtë arsye unë i përmend emrat e tyre por edhe trajnerit të U21-shit, Alban Bushin, pasi na kanë sjellë lojtarë të rëndësishëm. Unë besoj shumë në punën e të gjithëve. Ashtu kam bërë edhe unë edhe pse jam i ri në karrierën time si trajner, por kam lënë një shenjë ku kam qenë, me ndonjë lojtarë, apo ndonjë gjë tjetër në ekip, ashtu si lanë ata dhe ne në këto 10 muaj i zhvilluam futbollistët që na lanë dhe disa të tjerë. Nuk duhet të harrojmë se futbolli ashtu si edhe jeta ecin shumë shpejtë. Dua të falënderoj dhe e vlerësoj punën e trajnerëve përpara meje që lanë diçka për ne sot”.

Humbja kundër Polonisë  – “Më kujtohet në ndeshjen e parë kundër Polonisë kur humbëm dhe u ndjeva shumë keq. Askujt nuk i pëlqen humbja por mua fare fare, më dhemb shumë. Por nga ajo ndeshje e kuptuan të gjithë që kemi nevojë që ne të funksionojmë si skuadër. Ne jemi një, nëse fitojmë, fitojmë të gjithë nëse humbasim, humbasim të gjithë. Për këtë duhet zbritur në fushë të ekuilibruar dhe të organizuar. Kishte një shprehje të bukur të Dorivës që pas asaj ndeshjeje dhe pas kritikave që morëm, na tha, edhe kur humbasim duhet të dimë të humbasim. Polonia është një skuadër e fortë, nuk mund të shkosh atje me idenë se po e provojmë, pasi ata kanë një sulmues si Lewandowski të shënon një tregolësh dhe të thuash se s’ke çfarë bën. Jo, ideja ishte që të shkonim atje dhe të tregoheshim të fortë. Të mbrohemi mirë, të nisemi në sulm dhe të japim sinjalet tona se ne jemi një skuadër e fortë dhe ashtu ndodhi. Pësuam një gol, ruajtëm qetësinë dhe nuk pësuam më gol, madje tentuam deri në fund për një barazim, por futbolli kështu është. Të gjithë nëse e rishohin ndeshjen dhe mendojnë se barazimi ishte rezultati i drejtë, por futbolli nuk është kështu. Për fat të keq ne humbëm dhe duhet ta pranonim, por gjendja në ekip ishte shumë e mirë. Nga aty filloi marrëdhënia jonë me skuadrën dhe ishte në rrugën e duhur”.

Ndeshja e kualifikimit me Moldavinë – “Shumë net kanë kaluar pa gjumë, në Moldavi, kam fjetur dy apo tre orë maksimumi përpara asaj ndeshjeje. U zgjova dhe po haja mëngjes me Dorivën, më pyeti: Si je? – I thashë mirë dhe po shihnim njëri tjetrin pa folur, sepse njihemi mirë, ula zërin dhe i thashë kam fjetur shumë keq. Çdo gjë në letër përpara asaj ndeshjeje ishte shumë e mirë, udhëtuam shkuam atje dhe të gjitha mendimet ishin që na duhej një rezultat çfarëdolloj, përveçse një humbjeje dhe do të jemi në Europian. Kur mendon të gjitha këto është normale mos të flesh. Ndoshta kur je mësuar të shkosh e kualifikohesh në nivele të tilla është më e thjeshtë, uroj që Shqipëria pas disa vitesh t’i ketë gjërat shumë më të thjeshta edhe pse të lehtë në futboll nuk ka asgjë sepse duhet të luftosh, por të paktën që jetë e mësuar të kualifikohet dhe ambientuar me Europianin dhe Botërorin. Pjesa e parë ishte më e mirë, luajtëm shënuam dhe më pas me kalimin e minutave e gjetëm veten që luanim kundër kronometrit dhe prisnim fundin, në ato kushte është e vështirë të luash futboll. As kontrolli i topit dhe i asgjëje nuk është më e thjeshtë. E di që flitej shumë, mos u shqetësonim, do të bëjmë dhe golin e dytë, luani lirshëm, por këto janë fjalë, nuk është kështu në fushë. Shpenzuam shumë energji atje, por e merituam të riktheheshim në Shqipëri me kualifikimin me vete. Unë mendoj se Shqipëria, futbolli ashtu si thuhet këtu në vendin tuaj, duhet të rritet ngadalë-ngadalë. Apo avash-avash si thoni ju. Në kuptimin që ne vërtet arritëm një objektiv shumë të madh. Bëmë një punë shumë të madhe, ne dhe të gjithë lojtarët, por tani është etapa e dytë, ne jemi Shqipëria, që do të luajmë në finalet e Europianit 2024, por si fillim ne duhet të ambientohemi, të luajmë turne të këtij niveli. Europian, Botëror, prapë Europian dhe kështu me radhë”.

E ardhmja e Kombëtares – “Vërtetë me Brazilin është më e thjeshtë është e drejtë, pasi është një tjetër nivel skuadre, por sa na përket ne, ne duhet të fillojmë të ambientohemi me këto gjëra. Që edhe njerëzit ta shohin skuadrën tonë, sigurisht ngadalë-ngadalë. Ne vërtetë jemi një skuadër e fortë e organizuar gjë që nuk është e thjeshtë, por nuk duhet të fillojmë të mendojmë që do të shkojmë atje e të barazojmë me Francën, apo të fitojmë me Anglinë 2-0. Nuk është kështu futbolli. Ne duhet të zhvillohemi, të rritemi së bashku, por dalëngadalë dhe me mbështetje. Nuk mund të zgjohemi një ditë në mëngjes të luajmë me Francën, Gjermaninë apo Brazilin dhe të futemi si të barabartë, duhet të kuptojmë, që na duhet të rritemi me qetësi dhe ngadalë, megjithatë me një mbështetje të madhe nga tifozeria besoj se mund t’ia dalim”.

Lista përfundimtare në Gjermani 2024 – “Për pak do të vijë momenti i listës me 23 lojtarë dhe nuk do të jetë aspak e thjeshtë. Unë vetë nuk kam qenë ndonjëherë në këtë situatë, pra që kam luajtur në eliminatore dhe mos grumbullohem. Por kam pasur shok të mi, dhe e kuptoj situatën. Nuk është e thjeshtë, por duhen marrë të gjitha përgjegjësitë për të arritur tek momenti i 23-shes. Kombëtarja i ka gjithmonë dyert e hapura. Sigurisht nëse ka ndonjë lojtarë që po bën mirë dhe nuk ka qenë deri më tani, sigurisht do të jetë një dhimbje koke për trajnerin, por më mirë për ekipin. Janë gjashtë muaj deri në Europian, janë gjashtë muaj futboll për lojtarët, përgjigj  është e tyre. Ne do të shohim këdo edhe ato që nuk janë grumbulluar deri më tani, nëse na duhet do të vijë. Përgjigjen ne na e japin vetëm lojtarët”, – përfundoi trajneri i ekipit Kombëtar Silvinjo.

Pjesë e kësaj interviste ishin edhe dy ndihmësit e trajnerit, Pablo Zabaleta dhe Doriva. Argjentinasi tregoi punën e bërë gjatë edicionit kualifikues dhe besimin që i dhanë lojtarëve të rinj, ndërsa komentoi edhe listën përfundimtare për Europianin, duke treguar edhe historinë e tij personale. Braziliani Doriva tha se është bërë një punë shumë e mirë në të gjithë edicionin kualifikues duke nisur nga humbja me Poloninë e deri te kualifikimi në “Euro2024”.

Kualifikimi në Europian – “E kam shijuar shumë këtë periudhë, nga këndvështrimi i trajnerit lojtarët kanë bërë gjithçka në mënyrë perfekte. Djemtë i kuptuan menjëherë idetë dhe mentalitetin tonë dhe paraqitja e shumicës prej lojtarëve ka qenë e mirë. Kishte lojtarë që ne i besuam që në fillim dhe shkuan ashtu siç e kishim menduar si Asani, apo Mitaj e filluan si rezerva e më pas si titullarë të rregullt, por në përgjithësi të gjithë ishin perfekt. Krijuam menjëherë një frymë grupi dhe kjo ishte pika jonë më e fortë dhe që na solli kualifikimin në Europian. Jemi të vetëdijshëm që disa lojtarë luajtën më shumë se të tjerët, por në futboll të gjithë e dimë që nuk është një çështje individualistësh por çështje ekipi”.

Lista përfundimtare në Gjermani – “Kjo është puna jonë. Unë kam qenë lojtarë dhe e di se si ndihet një futbollist që mbetet jashtë liste. Kam humbur një Kupë Bote duke më lënë jashtë skuadre në 2010-n. Ishte një moment i vështirë pasi trajneri në momente të caktuara kërkon gjëra të ndryshme nga një lojtarë. Mua më la jashtë liste Maradona. Edhe në 2018-n unë luaja me përfaqësuesen e Argjentinës, por më pas u ndryshua trajneri dhe erdhi Sampaoli pak muaj përpara Kupës së Botës dhe ai nuk më grumbulloi. Pra unë po ju them se e kam provuar këtë gjë, të jesh jashtë ekipit për një aktivitet kaq madhor. Por tani si trajner duhet të mendojmë dhe punojmë për këtë sepse kështu është futbolli, duhet të marrim vendime. Ne nuk mendojmë për individ, ne mendojmë se çfarë është më e mira për skuadrën dhe çfarë i duhet skuadrës në atë moment”, – tha ndihmës trajneri i kuqezinjve, Zabaleta.

Humbja me Poloninë dhe kualifikimi në Euro – “Ajo ndeshje ishte shumë e rëndësishme në këtë këndvështrim, pasi kur fitohet është e thjeshtë të vlerësosh, por kur humbet është më e vështirë. Aty ne bëmë një vlerësim dhe lojtarët e kuptuan menjëherë idenë. Gjëja më e vështirë është që të bindësh një lojtar. Unë dhe trajneri aty kuptuam se kishim fituar sfidën për t’u futur në mentalitetin e futbollistëve. Më pas kishim një rrugë të gjatë dhe bëmë shumë mirë. Bëmë një punë shumë të shpejtë për t’i përmirësuar dhe bindur me pamje filmike, kryesisht pasi një imazh vlen më shumë se një mijë fjalë. Futbollistët e kuptuan menjëherë se ishte momenti për të mësuar dhe për të evoluar. I rikthyem besimin lojtarëve dhe shumë prej tyre u përmirësuan. Çdo herë që ishim bashkë u përmirësuan”, – tha ndihmës trajneri tjetër i kuqezinjve, Doriva.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *