Media në Greqi e krahason Silvinjon me trajnerin që i dha Greqisë trofeun e Europianit: Është Rehageli i shqiptarëve, si zgjodhi një vend me 1/4 e Sao Paulos?

Media në Greqi, Oneman.gr, ka bërë një artikull sa i përket mrekullisë së Shqipërisë. Kombëtarja jonë, e drejtuar nga Silvinjo, arriti që të kalonte polakët dhe çekët për të mbajtur vendin e parë në grup. Duartrokitjet shkojnë sigurisht për lojtarët, të cilët janë protagonistët kryesorë të këtij suksesi. Ndërkohë media greke e krahason Silvinjon me trajnerin Rehagel, i cili kulmin e tij e kishte kur i dha Greqisë trofeun e Euro 2024.

“Kur quhesh kombëtarja shqiptare dhe ke në grup Çekinë dhe Poloninë, fati yt, në vendin e tretë, duket pak a shumë i paracaktuar. Në historinë e fazave kualifikuese në Kupën e Botës dhe kualifikueset e Euros, skuadra shqiptare e futbollit vetëm një herë ka mundur të shkojë kundër rregullit. Ishte për kualifikueset e Euro 2016, kur me trajner italianin Gianni De Biasi, ata lanë Danimarkën e tretë në grup (dhe Serbinë e katërt në atë fazë kualifikuese) dhe u kualifikuan pas Portugalisë.

Por tani gjithçka ishte më e thjeshtë. Shqipëria do të kishte rezervuar një vend për Gjermaninë, edhe nëse nuk do të kishte marrë një pikë në dy ndeshjet e fundit në grup. Fitorja 3-0 ndaj Republikës Çeke më 12 tetor është ‘festa’ më e madhe e futbollit e organizuar ndonjëherë në vendin fqinj për ekipin kombëtar. Atë ditë praktikisht gjithçka përfundoi dhe një brazilian u bë, deri tani, personi i dytë më i popullarizuar në vendin me 2.76 milionë banorë. Si për të thënë, “Otto Rehhagel” e shqiptarëve në periudhën e pas Euro 2004.

Pas kualifikimit, Sylvinho u nderua në një event special nga Edi Rama me çmimin “Shqiponja e Artë”, ndërsa kryeministri shqiptar me shaka i tha se hapi i radhës do të ishte marrja e nënshtetësisë shqiptare. Buzëqeshja jo e pakuptimtë e teknikut brazilian dëshmon se ai nuk ka një qëllim të tillë, ndonëse siç është shprehur ai po shijon qëndrimin në Tiranë dhe ka mbetur i befasuar nga niveli i prodhimeve të detit.

Duket pak e pamundur që një brazilian dhe një argjentinas të bashkojnë forcat për të zhvilluar ekipin kombëtar të një vendi që ka gjysmën e popullsisë së Buenos Aires dhe 1/4 e Sao Paulos”, shkruan media greke. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *