Një çmenduri e vërtetë po ndodh me Partizanin që po i fiton të gjitha ndeshjet në minutat shtesë. Për herë të katërt radhazi, kjo skuadër arrin që ta fitojë një përballje me një gol në minutat shtesë.
Gjithçka nisi në derit, vazhdoi me Erzenin, me Teutën dhe tani me Laçin, e vetmja gjë që ndryshon janë autorët e golit. Teksa pritej që transferta në Laç të mbyllej pa gola, në minutën e fundit, pas krosimit të Kekos ishte Gjelbrim Taipi që dërgoi topin në rrjetë me kokë duke dhuruar fitoren 0-1.
Nga krahu tjetër ishte Tirana që arriti të fitonte me shifrat 2-0 falë dy golave të Florent Hasanit. Në minutën e 13 ishte një aksion perfekt nga goditja e dënimit që u finalizua në mënyrën më të mirë dhe në fundin e ndeshjes, duke mos gabuar nga penalltia. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “MCN TV”:
Ahmataj: “Më vjen mirë që nuk pësuam gol sot. Ne i dimë të gjitha cilësitë dhe potencialin e Florent Hasanit, po mundohemi që ta përdorim atë në shërbim të skuadrës. Rezultatet dhe pozicioni i Tiranës të japin mërzi. Pavarësisht se fituam, ne jemi të mërzitur për vendin ku ndodhet ekipi. Unë pres më shumë dhe nuk më jep emocion kjo fitore”.
Mirel Josa: “Lojtarët e interpretuan mirë ndeshjen, por mund të bënim edhe më mirë para portës. Gabuam shumë edhe në momentin e golit, u ndëshkuam nga ai episod. Duhej të jemi shumë të mbledhur pasi gjithë ato përpjekje që ne bëmë, shkuam kot. Duhej të ishim pak më të mbledhur, megjithëse në rastin e kundërsulmit te goli i Partizanit, i doli topi lojtarit të Partizanit dhe pastaj e pësuam”.
Martini: “E pësuam në dy goditje standarte. Ndeshja mbaroi në golin e dytë, të penalltisë. Bravo i qoftë Tiranës, ishin prezent në fushë, fusnin doktorin, na ulnin ritmin e lojës. Por bravo i qoftë Tiranës se edhe kjo është një meritë. Goli duhet të hyjë edhe me dhunë. Ne na mungon një lojtar tipik goli. Djemtë kanë luftë dhe grintë, por na mungon cilësia para porte”.
Abilaliaj: “Cara dhe Bintsouka kanë humbur dy raste flagrante sot. Duhej të jemi më të vëmendshëm para porte. E dinim që do të vuanim këtu. Djemtë qëndruan kompakt dhe Laci nuk pati raste goli përvec rasteve me goditjet standarte. Kishim shumë vështirësi për të interpretuar lojën edhe për shkak të gjendjes jo të mirë të lojtarëve. Më dëshpëron fakti që humbasim raste flagrante, na duhen shumë raste për të shënuar”.