Lojtarët shqiptarë po kalojnë një formë të mirë këtë sezon. Futbollistët kuqezi po bëjnë mirë në klubet e tyre, si dhe po shkëlqejnë edhe me fanellën kuqezi, duke shkuar vetëm një pikë larg Kampionatit Europian Gjermani 2024. Paraqitjet pozitive të kryera në shifrën e lojës janë shpërblyer në vlerën e tyre në treg.
Lojtarëve të rinj të Kombëtares shqiptare u është dyfishuar kartoni. “Transfermarkt”-i ka publikuar përditësimet e fundit ditën e djeshme sa i përket çmimit të lojtarëve ne treg. Kartoni i Ernest Muçit është dyfishuar, teksa nga 2.5 milionë euro tashmë ka shkuar në 5 milionë euro. Ndërkohë rritje të madhe ka pasur edhe për Taulant Seferin (nga 1 milionë, vlera ka shkuar në 2.5 milionë), Arbnor Mujën (nga 2.5 milionë, vlera ka shkuar 4 milionë) dhe Ylber Ramadanin (nga 800 mijë euro, vlera e kartonit të tij ka shkuar në 1.8 milionë euro)./Sport Ekspres/