Lorik Cana ishte i ftuar në emisionin “7pa5” në “Vizion Plus”, ku përpos të tjerave, ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare. Ikona e kuqezinjve ka vlerësuar punën e bërë nga Silvinjo dhe ekipi, ndërsa tregon edhe ndryshimet mes kësaj skuadreje dhe asaj të vitit 2016, pjesë e së cilës ishte edhe ai. Cana është shprehur se kjo Kombëtare është më tërheqëse për t’u parë dhe pritshmëritë janë për të provuar edhe diçka më tepër në fazën e grupeve të Kampionatit Europian Gjermani 2024.
“Nuk ka të bëjë vetëm fakti që jemi në një pozicion shumë të mirë dhe na mungon vetëm një pikë. Është edhe mënyra se si skuadra luan, ambienti që është aty brenda, besimi që kanë. Sigurist që unë kam qejf të festoj kur gjithçka është e mbyllur. Aty do të bëhet një festë e jashtëzakonshme dhe pastaj do përgatitemi të shkojmë të mbështesim Kombëtaren në Gjermani vitin tjetër. Gjithsesi puna që është bërë këto muajt e fundit është një punë e jashtëzakonshme. Sigurisht që trajneri ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm.
Gjenerata është shumë e mirë. Ka shumë lojtarë që luajnë në Serie A, në nivele të larta. Kemi lojtarë teknikë. Kemi lojtarë të cilët që kanë arritur një farë pjekurie, që vijnë nga gjenerata jonë deri tani. Kemi lojtarë që luajnë me shumë vetëbesim. Jo vetëm ne, por nuk mbaj mend asnjë Kombëtare tjetër që është e aftë të hapë rezultatet me gola të tilla. Është diçka shumë e veçantë. Por është edhe mënyrë se si luajmë.
Është një Kombëtare komplet ndryshe nga ajo e gjeneratës sime. Ne kemi pasur tjetër armë, tjetër lloj Kombëtareje. Kjo është më e bukur, më tërheqëse për ta parë. Janë edhe të rinj. Kanë disa vite për të pasur vazhdimësi. Por pavarësisht se ka qenë në një fort shumë të favorshëm, grupi më i lehtë që ka pasur Kombëtarja për t’u kualifikuar, kjo nuk do të thotë që do të kualifikohesh Këtu është pikërisht merita e trajnerit dhe e ekipit kombëtar që ka dëshmuar se në këtë grup jemi më të mirët. Ne e dimë çfarë domethënie ka ekipi kombëtar dhe presim gjithashtu që të na çojë (në Europian) dhe mandej të bëjë më mirë në Europian”, ka deklaruar Lorik Cana./Sport Ekspres/