“Nuk ka miqësore për mua, dikush shkoi për të parë Bullgarinë”! Silvinjo sqaron edhe “çështjen” Armando Broja: Kjo është e gjithë historia dhe kjo ka ndodhur

Shqipëria do të luajë kundër Bullgarisë në ditën e nesërme. Kjo ndeshje miqësore vjen pas fitores me shifrat 3-0 kundër çekëve. Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm Strakosha dhe Silvinjo. Fillimisht ishte Strakosha që ka dalë për të folur para gazetarëve.

“Jam krenar që kam bërë debutimin në Premier League. Në Kombëtare është trajneri që vendos. Ne futemi gjithmonë për të fituar ndeshjen. Çdo ndeshje për ne është shumë e rëndësishme. Kam pasur një dëmtim që më mbajti shumë jashtë, por jam i lumtur në Premier League. Objektivi i radhës është të luaj në Europian, ajo është gjëja më e bukur. Ne jemi të gjithë të lumtur te Shqipëria, grupi është shumë pozitiv. E meritojmë kualifikimin në Europian dhe në vendin e parë. Me Silvinjon është e rëndësishme që fton gjithmonë të njëjtët lojtarë, nuk i ndryshon, kjo është pika e fortë, ndryshe nga Reja dhe ndryshe nga Panuçi. Në Kombëtare ke fare pak kohë për t’u stërvitur dhe njohur me shokët e ekipit”, tha Strakosha.

Nga ana tjetër, Silvinjo u shpreh: “Mund të ketë disa ndryshime dhe është e pritshme kundër Bullgarisë. Ne kemi dy portierë shumë të mirë si Berisha dhe Strakosha, janë në lartësinë e duhur. Për mua nuk ka miqësore, dikush nga stafi jonë shkoi për të parë Bullgarinë dhe për të parë këtë kundërshtar, që të kemi të dhënat. Do të ketë ndryshime, por nuk mund të ndryshojmë 6-7 lojtarë, baza do të ruhet, do të ketë vetëm 3-4 ndryshime. Çështje Armando Broja? Broja erdhi nga një dëmtim i rëndë, u rikthye para pak javësh, ka luajtur vetëm 45 minuta në ndeshjen e fundit para se të vinte te ne. Kontrollet shkuan mirë te Chelsea para se të vinte te Shqipëria, por kur u stërvit këtu ndieu një shqetësim. Folëm edhe me mjekët e Chelsea, ishte e qartë se Broja nuk ishte gati për të luajtur. Kjo është e gjithë historia dhe kjo ka ndodhur. Ne nuk jemi kualifikuar ende në Europian, thjesht kemi më shumë shanse për të shkuar atje, kjo është e gjitha. Në nëntor do të vendoset gjithçka”, tha Silvinjo. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *