I dha golin në aksionin e fundit Tiranës kundër Vllaznisë, Florent Hasani shpjegon festimin: Ishte një shfryrje inati…

Tirana e Ahmataj ka arritur që të marrë një fitore dramatike kundër Vllaznisë. Ndeshja u vulos në aksionin e fundit, atje ku Hasani shënoi golin e fitores. Bardheblutë ia dolën në shifrat 0-1, në një moment që Tirana u kthye në fjalën e parë të mediave sportive për shkak të situatës së krijuar me Orges Shehin.

Minutat e fundit ishin edhe më të bukurat e këtij takimi, me raste nga të dy ekipet. Smajli la ekipin me 10 lojtarë teksa u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 81, ndërsa Tirana e shfrytëzoi më së miri. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “MCN TV”:

Hasani: “Ishte një shfryrje inati në momentin e golit. Për mua duhet një lloj energjie e tillë. Ishte një shfryrje inati për faktin se nuk po shënoja dot më gol dhe për vetë ecurinë jo të mirë të ekipit. Ishim të shqetësuar nga lajmet e fundit rreth Tiranës pasi u largua trajneri dhe nuk kishim shumë ditë kohë për të përgatitur ndeshjen. Jam i lumtur që arritëm të fitonim”.

Memelli: “Nuk u gjend dot një stadium që të dy ekipet të shpreheshin mirë. Terreni ishte shumë i vështirë, e kishim porblem ndërtimin e lojës. Nuk po përmend emra lojtarësh dhe nuk e quaj papërgjegjshmëri, por ne duhej të menaxhonim situatën në fund, u kapëm në kundërsulm në aksionin e fundit të golit. Jam i mërzitur me individë të caktuar, që në momente të caktuara nuk sakrifikojnë për ekipin, kjo është më e rënda. Në ditët në vazhdim, këta individë duhet të punojmë shumë për të qenë pjesë e grupit, në të kundërt, vetë grupi do t’i nxjerrë jashtë”.

Ahmataj: ‘Për pak ditë nuk mund të bësh shumë gjëra, kjo kuptohet. Merita nuk është e imja në këtë fitore. Tirana zëvendësoi trajnerin dhe unë u thërrita në detyrë. Merita i përket lojtarëve dhe atyre që kanë punuar me ekipin. Sot pashë një motivim shumë të madh skuadrës. Në pjesën e parë ishim shumë të ekuilibruar, na mungoi vetëm finalizimi. Tirana nuk hyn në eufori se fitoi një ndeshje. Sigurisht që fituam kundër Vllaznisë dhe është ndeshje e veçantë, por kemi ende punë përpara. Problemet e Tiranës? Ndodh me çdo ekip në botë që pas një vere të suksesshme, pas një kohe të gjatë, fillon një periudhë relaksimi që ndikon keq në skuadër. Kam shumë dëshirë ta drejtoj unë ekipin”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *