“Na e tha trajneri: ‘Shqiptarët nuk duhen lënë të gjuajnë nga larg’”, mbrojtësi i Çekisë: Do më pëlqejnë vërshëllimat në Shqipëri, le të bëjnë ç’të duan ata dhe polakët

Më 12 tetor një “Air Albania” i stërmbushur pret Republikën Çeke në një sfidë që pritet të vendosë shumë sa i përket kualifikimit për në Kampionatin Europian. Atmosfera e zjarrtë nuk e tremb zëvendës kapitenin e Çekisë. Vladimir Coufal-i ka thënë së fundmi se e pret me padurim këtë ndeshje, në të cilën objektiv të vetëm ka fitoren.

Mbrojtësi i West Ham-it sheh pikë të fortë të Shqipërisë goditjet nga distanca. Ai zbuloi se trajneri e paralajmëroi skuadrën në sfidën e muajit shtator që të mos i lejonin lojtarët shqiptarë të gjuanin nga distanca. Megjithatë, nuk ia dolën dot, pasi në atë mënyrë erdhi goli i Nedim Bajramit. Coufal-i duket se ka mësuar nga gabimet dhe tashmë duan vetëm tre pikët ndaj kuqezinjve.

“Duhet të luajmë mirë në të dyja pjesët, të mbajmë topin, të mos jemi alibi. Dhe gjithashtu të mos lejojmë që shqiptarët të bëjnë gjuajtje nga distanca. Trajnerët na paralajmëruan për këtë para ndeshjes së parë, por gjithsesi shënuan një gol nga ky pozicion. Ngjashëm me Poloninë në ndeshjen e radhës. Shqiptarët kanë gjuajtje të shkëlqyera nga distanca.

Vërshëllimat në stadium? Duke folur për veten time, mezi po e pres. Nuk e kam problem nëse dikush më vërshëllen. Përkundrazi, më pëlqen ajo lloj atmosfere sepse më bën të ndihem mirë. Besoj se nuk do të kemi problem me këtë. Sezonin e kaluar përjetova luftën për të qëndruar në Premier League, dhe ky ishte vetëm presioni! Unë nuk shoh ndonjë problem me këtë, edhe nëse mjedisi ndoshta do të jetë armiqësor. Nga ana tjetër, në asnjë rrethanë nuk duhet të mungojë njëfarë respekti bazë. Për shembull, nuk duhet vërshëllyer gjatë himnit kombëtar, siç ndodhi me polakët në Shqipëri.

Një fitore në Shqipëri do të na ndihmonte shumë. Pastaj ne duhet të mposhtim Ishujt Faroe në shtëpi. Dhe nëse nuk humbasim në Poloni, jemi në Europian. Do të doja të shkoja sa më shpejt në kampionat. Dhe pastaj le ta ndajnë mes tyre shqiptarët, polakët dhe moldavët. Por ne vetëm duhet të jemi atje”, ka deklaruar Vladimir Coufal-i./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *