Ka përfunduar në baraspeshë 1-1 sfida e sotme mes Partizanit dhe Egnatias. Të kuqtë gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 6 me anë të Bintsukasë, ndërsa në të 22-tën Egnatia u kundërpërgjigj me një gol spektakolar të Fernandos. Protagonist absolut në këtë ndeshje ishte edhe Alban Hoxha, i cili arriti t’i priste penalltinë Duamenës, si dhe shpëtoi portën në jo pak raste të tjera. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për emisionin “Skaner Superiore“ në “MCN TV“.
Hoxha (Partizani): “Po ta tregoj sekretin ma bën gol ai tjetri javën tjetër (qesh). Është instiktive. Kur lojtari gjuan penalltinë e kam në mendje një krahë se ku mund ta gjuajë dhe mundohem të bëj maksimumin. Këtë herë ia dola dhe e prita penalltinë”.
Zekiç (Partizani): “Sot kisha 20 lojtarë. Të gjithë ishin të uritur, të gjithë janë pjesë e Partizanit. Nuk dua të gjej alibi te kjo pjesë. Zëvendësimi i Mehmetit? Edhe në ndeshjet e tjera, shfaqen probleme pas minutës së 20. Kështu që më duhet të bëj ndryshime. Kjo është një problematikë për ne. Deri tani shumica e punës është bërë në fazën defensive. Nuk kemi marrë atë që kemi punuar dhe që kemi pritur. Krijohet një farë presioni që jemi më të mirët dhe nuk marrim atë që pritet”.
Tetova (Egnatia): “Ashtu si shkoi loja, ishim ne më afër fitores. Po të kishim shfrytëzuar më mirë rastet përpara porte, do të kishim avantazhin. Goli i Fernandos ishte gol për arkiv. Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë një gol të tillë. Por ne duhet të qajmë dy pikët. E di që nuk është pak t’i marrim pikën Partizanit, por ne ishim më afër. Edhe Partizani kishte rastet e veta, por ne ishim më afër.“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/