Nga Klaudio Ndreca
Klaus Gjasula është një shembull i vërtetë për të gjithë futbollistët shqiptarë, veçanërisht ata të lindur në vendin tonë. Në katin më të lartë mund të shkosh edhe duke përdorur shkallët, sado e lodhshme dhe e mundimshme mund të jetë, nuk është ashensori zgjidhja në çdo rast.
Ky ka qenë rasti i Gjasulës që tani është sërish pjesë e Bundesligës, këtë herë me Darmshtad, por edhe pika kryesore e Shqipërisë. Deri në vitin 2018 thuajse askush nuk kishte dëgjuar për Klausin 28-vjeçar, pasi ishte pjesë e niveleve të ulëta të futbollit në Gjermani.
Derisa papritur erdhi shfaqja e tij në nivelet më të larta dhe i bëri të gjithë tifozët që të dashuroheshin me të. Ka këmbët dhe kokën e Buskets, veçanërisht në Kombëtare, qetësia dhe mënyra sesi vertikalizon është për t’u admiruar.
Në një intervistë të Klaus Gjasulës për “Sport Ekspres”, kemi folur me mesfushorin për ri ngjitjen në Bundesligë. Këtë herë më shumë si qendër mbrojtës, pasi në këtë pozicion po preferohet nga trajneri i Darshmtad. Ndryshe nga eksperienca e parë në Bundesligë, Klausi do të luajë pa kokore. Ai zgjodhi që ta hiqte atë duke e cilësuar si një fillim të ri në karrierën e tij. Pyetja është: “A do ta njohin në Bundesligë?”. Gjasula qesh, teksa edhe vetë pret me padurim që t’i jap përgjigje kësaj pyetje.
Në momentin që arbitri dha vërshëllimën e trefishtë, cila ishte ndjesia dhe mendimi i parë që të erdhi në kokë pasi u ngjitët në Bundesligë me Darmshtad?
Shumë gjëra të kalonin në kokë në atë moment. Gjëja kryesore është ai presioni që ikën, dukesh sikur lirohesh. Pastaj ke vetëm emocione të mira, gëzohesh. Pastaj sheh në fushë vëllain, njerëzit të familjes dhe shokë të ngushtë, ky është momenti më i bukur.
Duke parë moshën tënde dhe këtë arritje, a është ky treni i fundit për Klaus Gjasulën që të jap maksimumin për të luajtur në nivele të larta si ai në Bundesligë?
Në jetë nuk i dihet asnjëherë, sidomos në futboll. Unë jam realist, ky është treni i fundit që më ndihmoi për të arritur në Bundesligë. Në këtë moshë është vështirë të ndërrosh skuadër dhe të luash në atë nivel. Prandaj ishte akoma më e rëndësishme për mua që të arrija në Bundesligë.
Kthimi në qendër të mbrojtjes, a është një zgjidhje për të zgjatur vitet në futboll pasi qendër mbrojtësit dhe portierët zgjasin më shumë?
Këtë nuk e di, kryesorja është shëndeti, të mos dëmtohemi. Por mbrojtësit dhe portierët zgjasin më shumë, është e vërtetë. Mbrojtësit në Itali luajnë shumë më gjatë, megjithëse në Gjermani nuk ndodh kështu. Për mua është e rëndësishme që të mos dëmtohem dhe do të luaj në çdo pozicion që do të më caktohet, aq gjatë sa e kam mundësinë time.
Pas kthimit në Bundesligë, Gjasula pret që të luajë si mesfushor apo qendër mbrojtës?
Atë do ta vendosi trajneri. Këtu në Darmshtad kam luajtur më tepër si mbrojtës se mesfushor. Unë jam gati për t’i mbuluar të dyja rolet, në fund është trajneri që bën zgjedhjen e tij, unë dua vetëm të jem në fushë.
Cili ishte futbollisti i parë i Kombëtares që të uroj për këtë sukses?
Lojtari i parë ishte Amir Abrashi dhe Nedim Bajrami, këta ishin të parët.
Një fillim i ri, kjo ishte arsyeja jote e heqjes së kokores. A do të njohin tani në Bundesligë pa të? Me kokeren në kokë thyeje rekorde edhe për numrin e kartonëve.
(qesh) Është një pyetje e mirë në fakt, nuk e di as unë. Arbitrat më njohin edhe pa kokoren, e kam parë në ndeshjet që kam luajtur, e dinë mbiemrin në fanellë, mjafton Gjasula dhe nxirret kartoni më shpejt se lojtarët e tjerë. Do ta shoh tani kur të luaj prapë në Bundesligë.
Tani po afrojnë edhe ndeshjet e Kombëtares. A e kanë premtimin tifozët se do të jepni edhe shpirtin në fushë për të shkuar në Gjermani, këtë herë me Kombëtaren?
Tifozët duhet ta dinë që ne japim maksimumin për fanellën dhe vendin tonë. Nuk ka rëndësi sa e vështirë është ndeshja, ne japim gjithmonë më të mirën. Ka raste që na del për mirë dhe të tjera që na shkon keq puna, megjithatë duhet të jeni të sigurt ne japim 100% tonë. Është një ëndërr e të gjithëve ne dhe duhet ta mbajmë sa më gjatë të gjallë.