Turneu i përfaqësueseve rajonale që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit për tre grup-moshat U-13, U-14 dhe U-15 sa vjen e bëhet më tërheqës dhe një aktivitet ku evidentohen talentet më të mira nga të gjitha zonat rajonale të Shqipërisë.
Një turne që zhvillohet dy herë në vit nga FSHF dhe ku fokusi kryesor nuk është tek rezultatet se sa te monitorimi i elementëve të spikatur dhe mundësia për të vënë përballë në fushë e për të parë nivelin e futbollistëve nga e gjithë Shqipëria e që vëzhgohen çdo javë nga specialistët e FSHF-së.
Risia e madhe e këtij edicioni që sapo përfundoi ishte zhvillimi i ndeshjeve finale për të tre grup-moshat në fushat e Shtëpisë së Futbollit në një atmosferë festive me ekipet që u impresionuan nga ambientet dhe fushat e dy stadiumeve që ndodhet në këtë kompleks.
Trajnerët e disa prej ekipeve përfaqësuese rajonale kanë shprehur opinionet e tyre në fund të turneut, duke vlerësuar maksimalisht këtë nismë dhe kushtet e krijuara nga FSHF.
Trajneri i ekipit të Fierit U-13, Bledar Borova, u shpreh për Fshf.org se bëhet një punë e madhe në të gjitha zonat me futbollistët e vegjël dhe turneu vërtetoi edhe një herë se kemi talente nga çdo qytet që premtojnë në të ardhmen për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave.
“Për mua ky turne, që është implementuar prej vitesh nga Federata Shqiptare e Futbollit, është një projekt shumë i rëndësishëm e që me kalimin e kohës po i jep frytet e veta edhe në seleksionimet që po bëhen me ekipet kombëtare të moshave. Për herë të parë fëmijët patën mundësinë të luanin ndeshje edhe në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, një emocion i veçantë për të gjithë lojtarët për ta ndjerë nga afër se çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Kombëtares dhe rëndësinë që ka ajo.
Por mbi të gjitha është ajo që ne po shohim, cilësia e këtyre lojtarëve po rritet nga dita ditës dhe zona e Fierit, që ka edhe qytete të rëndësishme si Vlora, Berati dhe Lushnja, po prodhon lojtarë për ekipet kombëtare të moshave. Ky është një projekt që e ka të qartë programin që duhet të zhvillohet çdo fillim-jave në zonat rajonale”, tha Borova në prononcimin e tij.
Trajneri i Durrësit U-14, Oerd Kote, thekson se rezultatet nuk janë në plan të parë në një turne zhvillimor, teksa sipas tij është e rëndësishme të promovohen dhe të monitorohen në vazhdimësi elementët e spikatur.
“Është kënaqësi të marrësh pjesë në të tillë turne. Është një aktivitet mjaft i rëndësishëm për moshat, sepse kemi mundësi që të stërvisim skuadrat dhe të shohim në aksion fëmijët që janë të evidentuar e t’i përgatisim për të kaluar në ekipet kombëtare të moshave. Mendoj se turneu i përfaqësueseve rajonale që organizohet nga FSHF është aktivitet shumë i rëndësishëm, sepse edhe fëmijët stërviten dhe luajnë me dëshirë shumë të madhe, kur u jepet mundësia për t’u provuar me ekipet kombëtare të moshave.
Nuk ka rëndësi fare se cilat skuadra fitojnë turneun, e rëndësishme është pjesëmarrja dhe dëshira që kanë fëmijët për t’u zhvilluar dhe për të luajtur ndeshje të mira. Pra, e rëndësishme është të jenë të gjithë të përkushtuar për të arritur objektiva më të mëdha në vazhdim”, – u shpreh Kote për Fshf.org.
Zv.trajneri i ekipit të Shkodrës U-13, Elis Legata, vlerësoi zhvillimin e këtyre ndeshjeve në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ndërsa shprehet se ky brez lojtarësh ka shumë lojtarë të talentuar, të cilët mund të bëhen futbollistë të rëndësishëm për ekipet kombëtare të moshave në të ardhmen.
“Gjëja e parë, që për mua dhe për fëmijët është kënaqësi, të zhvillosh ndeshje në një ambient të tillë të shkëlqyer sportiv, ku edhe tifozët mund të ndjekin ndeshjet. Është vërtetë e mrekullueshme që fëmijët ta preknin këtë realitet kaq të bukur duke luajtur futboll në një terren të tillë. Sa i përket rezultateve, për ne nuk kanë shumë rëndësi te moshat e vogla rezultatet në një turne të tillë, sepse është turne zhvillimor, vitlindja 2011 ka elementë shumë cilësorë në çdo zonë dhe dallohet që është punuar mirë nga të gjitha trajnerët në të gjitha zonat.
Këto aktivitete janë shumë të vlefshme, për këto fëmijë është ëndërr të luajnë futboll dhe kur shohin seriozitetin dhe gatishmërinë e stafeve që punojnë me ta, normalisht që motivimi për fëmijët që të realizojnë këtë ëndërr është i madh për të vazhduar edhe në të ardhmen. Këto fëmijë po e shënojnë emrin në çdo zonë rajonale ku luajnë dhe do të vazhdojnë të monitorohen, pasi të gjitha moshat ndiqen hap pas hapi nga stafet teknike të ekipeve kombëtare”, – tha ndër të tjera Legata në prononcimi e tij.
Në këtë turne që organizohet nga FSHF merrnin pjesë të gjitha ekipet rajonale të këtyre tre grup-moshave nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Lezha, Fieri, Elbasani, Gjirokastra e Korça.
Ky turne ka si qëllim kryesor evidentimin e elementëve të rinj që luajnë në kampionatet rajonalë të FSHF-së dhe vëzhgimin e mëtejshëm të tyre nga stafi i ekipeve kombëtare, për të seleksionuar në të ardhmen edhe futbollistë të rinj në radhët e ekipeve kombëtare të moshave.