Chelsea është duke përjetuar krizë rezultatesh teksa u eliminuan edhe nga Champions League. Sa i përket Premier League, ata janë në vendin e 11-të, 17 pikë prapa vendit të katërt që të çon në Champions League sezonin e ardhshëm, pra një mision i pamundur.
Trajneri i përkohshëm Frank Lampard nuk arriti të ndikojë pozitivisht në ekip. Pas zëvendësimit të Graham Potter, Lampard humbi të gjitha ndeshjet e mundshme.
Pronari i Chelseat, miliarderi amerikan Todd Boehly, mori masat e para pas rezultateve të dobëta.
Shtypi anglez bën të ditur se lojtarëve do t’i ulen pagat me 30 për qind për shkak se nuk ia arritën qëllimit primar që është kualifikimi në Champions League.
Kjo masë vlen vetëm për lojtarët që kanë ardhur në Chelsea këtë dimër dhe ata që së fundmi kanë vazhduar kontratat e tyre me klubin londinez.
Për shembull, mbrojtësi Reece James nënshkroi një kontratë të re për gjashtë sezone në shtator 2022 për një pagë mujore prej një milion euro. Nga sezoni 2023-2024, paga e James do të ulet me afërsisht 270 mijë euro në muaj. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/